Regjimi iranian është në luftë me fëmijët e tij

schedule15:28 - 25 Nëntor, 2022

schedule 15:28 - 25 Nëntor, 2022

Nga Harriet Sergeant “The Spectator

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Njëzetedyvjeçarja Hadis Najafi nuk dukej si një ushtar këmbësor gjatë një revolucioni. Në videon e fundit ku Najafi ishte gjallë, ishte mbrëmje dhe ajo apo po ecte në një rrugë në Karaj, në qytetin e saj të lindjes, duke buzëqeshur dhe duke i lidhur flokët bisht.

Ajo ishte e re, bjonde dhe po shkonte t’i bashkohej një proteste. Najafi më kujton vajzën time, që i kap flokët në të njëjtën mënyrë të rastësishme dhe jo të pakuptimtë. Tridhjetë minuta më vonë, ajo vdiq, e qëlluar 6 herë në fytyrë, dorë, qafë dhe zemër. Krimi i saj?

Të shkosh në protestë dhe të mos mbash hixhab në kokë. Irani është sot një vend i bllokuar në një përplasje të përgjakshme midis teokracisë së tij mesjetare islame dhe gjeneratës së TikTok. Vrasja e vajzave të reja si Najafi dhe Mahsa Amini në fundin e verës, i ka nxjerrë në masë studentët në rrugë. Dhe deri më tani ka pasur mijëra arrestime:repere, aktore, shkrimtare, muzikante dhe personalitete sportive, madje edhe producentë të një podkasti në fushën e futbollit.

Në fund të shtatorit, 16-vjeçarja Nika Shakarami u zhduk pa asnjë gjurmë, dhe vetëm 10 ditë më pas, trupi i saj i pajetë u gjet në morgun e qendrës së paraburgimit. Të indinjuar nga vdekja e Nika-s, protestave kanë filluar që t’i bashkohen edhe më shumë vajza të shkollave të mesme, raporton abcnews.al.

Ato e filmojnë veten me flokë të lëshuara, duke bërë shpesh gjeste të turpshme me foton e Udhëheqësit Suprem që varet në çdo klasë shkollore. “Shpresa e vetme për këta fëmijë është nëse ndërhyn komuniteti ndërkombëtar dhe e trajton situatën me urgjencë”- më thotë njëra prej tyre.

Në dallim nga sfidat e dikurshme ndaj udhëheqësve të moshuar teokratikë të Iranit, kjo është një lëvizje proteste e nisur, e udhëhequr dhe e drejtuar nga gratë, dhe nga femra shumë të reja në moshë. Gjashtëdhjetë për qind e popullsisë iraniane është nën 30 vjeç.

Një iranian më tha se arsyeja pse këto vajza janë kaq sfiduese, i detyrohet pjesërisht pandemisë së Covid-19. Për shkak se shkollat ​​u mbyllën, kjo do të thoshte se nxënësit humbën 2 vjet nga indoktrinimi që bën zakonisht regjimi. “Ato nuk kanë frikë. Ato pështyjnë në fytyrë këdo që përpiqet t`i arrestojë”.

Mungesa e frikës së tyre, mund të jetë edhe arsyeja pse javën e kaluar parlamenti iranian bëri thirrje për ekzekutimin me vdekje të mbi 15.000 protestuesve që mbahen aktualisht në burgjet famëkeqe të Iranit. Nëse ndodh vërtet, do të ishte një akt i tmerrshëm, sidomos sepse Ali Fadavi, zëvendës komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), thotë se mosha mesatare e të arrestuarve është vetëm 15 vjeç.

Ky është një regjim në luftë të hapur me fëmijët e tij. Nuk është e çuditshme pse të hënën kombëtarja iraniane e futbollit refuzoi të këndonte himnin kombëtar, ndërsa tifozët iranianë bërtisnin “Be sharaf” (Turp). I njëjti refren u zgjua në sheshin Trafalgar të shtunën e kaluar, kur një grup iranianësh u mblodhën rreth një gruaje të gjatë iraniane të quajtur Lily Moo, palltoja e së cilës kombinonte me flokët e saj të lyer me një jeshile si të gurit të smeraldit, raporton abcnews.al.

Njëra më tha: “Lily vjen këtu çdo javë me mikrofonin e saj, edhe nëse bie shi. Ajo është këtu duke bërtitur: Bota duhet të zgjohet. Ky është shekulli XXI-të. Nuk është normale që një qeveri të vrasë fëmijë, adoleshentë ose studentë vetëm pse vallëzojnë, këndojnë, lëshojnë flokët apo synojnë të kenë një jetë  normale si gjithë të tjerët”.

Ajo e ngriti megafonin e saj dhe u bërtiti turmave: “Gra, Jetë, Liri!”. Mbi kokat tona valëviteshin flamuj të ndryshëm që përfaqësonin Persinë nën Shahun, Baluchistanin dhe Kurdistanin. Edhe në Iran, lëvizja e protestës ka bashkuar grupet e ndryshme.

Dy zonja të moshuara të veshura në mënyrë elegante, të cilat ishin larguar nga Irani që kur u rrëzua Shahu, po bisedonim me njëra-tjetrën. Njëra prej tyre mbante në prehër dhe përkëdhelte qenin e saj pomeranez. Ato vijnë çdo javë këtu për të protestuar. “Këta të rinj nuk duhet të harrohen”- i thonë ato turmës.

Një vajzë kurde me flokë kaçurrela më tha se kishte mbërritur në Britani vetëm 2 javë më parë. Në Iran ajo ishte mësuese, dhe nxënësit e saj kishin filluar të shkruanin slogane në muret e klasës. Dikush nga stadi mësimor i kishte dorëzuar organeve të drejtësisë pamjet e kamerave të sigurisë, në mënyrë që studentët të identifikoheshin dhe arrestoheshin, raporton abcnews.al

“Unë i fika kamerat, më pas i hapa pasi mbaruan këngët”- më tha ajo. Ajo shpjegon arsyet se pse iu bashkua nxënëseve të saj në protestë: “Baballarët dhe nënat tona u burgosën, torturuan dhe ekzekutuan në vitet 1980, nga të njëjtat autoritete që po vrasin sot 16-vjeçarët tanë në rrugë”.

Natyrisht, ajo u pikas nga regjimi. Autoritetet vizituan nënën e saj dhe më pas i arrestuan vëllain. E pyes: A është mirë? Fytyra e saj vrenjtet menjëherë . Ajo tundi kokën dhe u kthye. Gjëja e fundit që më tha im vëlla ishte: “Vrapo!”. Dy gra dhe një burrë rreth të tridhjetave thanë se vinin këtu për të protestuar çdo javë.

Një nga gratë kishte një motër adoleshente në Iran dhe ishte shumë e shqetësuar për fatin e saj. “Burgjet iraniane janë të tmerrshme. Burrat dhe gratë përdhunohen rregullisht. Madje  autoritetet urdhërojnë hapur përdhunimin e vajzave të reja. Sipas tyre virgjëreshat shkojnë në parajsë, ndaj duhet të përdhunohen para ekzekutimit”- thotë ajo.

Ndonjëherë familja e gjen trupin e fëmijës së tyre të hedhur si mbeturinat në rrugë. “Ndonjëherë atyre u jepet trupi me kushtin që të mos flasin me të tjerët për vdekjen e të afërmit. Shpeshherë të afërmit e të ndjerit sulmohen për t’u mbyllur gojën edhe gjatë funeralit”- thekson ajo më tej. Tezja e Nika Shakaramit u arrestua pasi tha për mediat se familja e kishte kërkuar për 10 ditë, përpara se ta gjenin trupin e saj në një qendër paraburgimi. Të gjitha gratë iraniane që takova ishin të tmerruara nga mbulimi që i ka bërë BBC-së protestave dhe injorimit nga e majta.

Takova një grup tjetër protestuesish iranianë që mbanin kapuça në kokë. Më shpjeguan se duhej të maskoheshin sepse autoritetet iraniane i mbanin nën kontroll demonstruesit edhe në Britani. “Ata na sulmojnë përmes frikësimit të anëtarëve të familjes në Iran”, tha një burrë. Vetëm këtë javë, drejtori i përgjithshëm i shërbimit sekret britanik MI5, Ken Mccallum, paralajmëroi se Irani përbën një kërcënim të madh të sigurisë për Mbretërinë e Bashkuar.

Ai theksoi se Britania kishte zbuluar të paktën 10 përpjekje për të rrëmbyer apo edhe vrarë shtetas britanikë me origjinë iraniane të perceptuar si armiq të regjimit.

“Irani përdor presionin, frikësimin dhe dhunën për të ndjekur interesat e tij”- tha ai. Lily Moo thotë: “Unë kam marrë kërcënime me vdekje. Por nuk do të ndalem derisa të bjerë ky regjim!”. Lily është deri më sot e dëshpëruar ndaj qëndrimit që po mban Perëndimi. Kur parlamenti iranian bëri thirrje për ekzekutimin e protestuesve të burgosur, përgjigja e disave këtu ishte relativizmi i saj, duke thënë se ajo nuk ishte një thirrje për ekzekutim masiv, por thjesht për dënime të ashpra të demonstruesve, përfshirë përdorimin e mundshëm të dënimit me vdekje.

Lily Moo replikën menjëherë: “Pra, të vriten të gjithë një nga një dhe jo menjëherë? Kjo është diçka që na qetëson disi!”.

Ajo vazhdoi duke thënë: “Irani ka një histori të masakrave. Dhe të na thuhet të mos e ekzagjerojmë, është një mungesë e madhe respekti për popullin iranian. Prindërit e mi më kanë folur për vrasjet në masë gjatë viteve 1980, ku njerëzit vareshin në litar njëri pas tjetrit. Për ata që thonë se kjo i përket së kaluarës, unë ju them se njeriu përgjegjës për ato ekzekutime është sot presidenti i Iranit”.

Ajo pyet veten pse dikush do të donte që  të  minimizonte mundësinë e një masakre. “Shpresa ime e vetme për ata fëmijë, është nëse komuniteti ndërkombëtar angazhohet dhe e trajton situatën me urgjencë”- thekson ajo.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!