Baritoni, Ylber Gjini, i cili prej 30 vitesh performon në Teatrin e Operas dhe Baletit, ka treguar se dikur ka refuzuar një ofertë në Gjermani. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai tregoi se luteshe Zotit që ta kthente në vendin e vetë dhe ashtu ndodhi.
Gjini theksoi se zgjodhi t’i qendronte pranë prindërve, siç kanë bërë shumë kolegë të tjerë të tij.
“E kam një kontratë në shtëpi dhe e ruaj si relike. Ndoshta dhe njeriu është me karakter, me gjendje. Unë pavarësisht se fitova një kontrat në një teatër të njohur në Gjermani, nuk munda dot që të rrija atje. Edhe kur isha në Gjermani, dilja atje jashtë dhe thosha: ‘O zot më ço atje ku më more’. Doja të kontribuoja në vendin tënd, i lutesha Zotit, sa që dhe ime shoqe më thotë gjithmonë: ‘Ju lute, që të solli këtu’. Por megjithatë kam bërë mirë që kam ardhur sepse pleqërova prindërit e mi dhe i mbajta me frymën e artistit. Unë kam njohur shumë aty te puna jonë që kanë mbajtur prindërit, janë shembuj, madje i kanë shërbyer dhe kur kanë pësuar paraliza”, tha ai.
Më tej, baritoni zbuloi dhe pengun që ka në jetë, edhe një nga dëshirat e parealizuara po e kryen tani në prag pensioni.
“Kam peng fëmijërinë time dhe rininë, që nuk bëra çdo gjë në kohën e vetë dhe moshën e vetë. Kam peng që nuk pata dot mundësinë që t’i bie ndonjë instrumenti, si për shembull pianos. Tani jo më larg se para 2-3 ditësh, fillova të kërkoj për të blerë një piano dhe do të filloj ta mësoj tani”, tha Gjini./abcnews.al