Refuzoi takimin informal/ Anton Berisha: Kurti po tallet me Kosovën. Musliu: Sjellja e tij e papranueshme

schedule16:38 - 17 Korrik, 2023

schedule 16:38 - 17 Korrik, 2023

TIRANË- Në takimin informal, që u mbajt sot në Tiranë, kryeministri i Kosovës nuk zgjodhi të marrë pjesë. Kjo zgjedhje e tij refuzuese e ka vënë atë në qendër të kritikave. Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha tha në “Ballkan Update” se Kurti me ketë zgjedhje tregoi se nuk ka në axhendë integrimin e vendit në BE.

Sipas Berishës, kjo lëvizje e Kurtit është tallje me Kosovën dhe me qytetarët e saj.

“Mospjesëmarrja e tij është tregues që ai nuk e ka në axhendën e tij politike dhe as kryeministrore, integrimin e Kosovës në BE, Ai ka vendosuri për një politikë polemizuese, dhe jo bashkëpunuese, jo vetëm me rajonin, por edhe me vetë BE. Përtej papërgjegjshmërisë, kjo është një tallje me funksionin e kryeministrit, por edhe me vetë Kosovën. Nuk është ndonjë risi sjellja e tij”,  theksoi Anton Berisha.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se Albin Kurti është përgjegjësi kryesor. Sipas saj, për Kurtin nuk ka rëndësi Kosova dhe Shqipëria, por me rëndësi është të jetë ai në qendër të vëmendjes.

“Faktori shqiptar duhet të reflektojë në lidhje me lëvizjet që po bëjnë kohët e fundit. Populli i ka votuar për të ardhmen. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë natyrore, dhe si të tilla janë edhe të paprekshme, Kurti dhe Rama duhet ta dinë këtë gjë. Përgjegjësia në këto raste bie mbi Albin Kurtin. Për Albinin nuk është me rëndësi asgjë tjetër, as Kosova dhe as Shqipëria, por e rëndësishme është që ai të jetë temë, dhe për të nuk është aspak e rëndësishëm që është temë për të mirë apo për të keq, por me rendësi të jetë temë”, theksoi ajo./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!