Refuzimi i Cakajt, Fevziu: Meta synon të vendosë standard të ri

schedule21:10 - 10 Janar, 2019

schedule 21:10 - 10 Janar, 2019

Për Blendi Fevziun, me refuzimin e dekretimit të Genti Cakajt si Ministër i Punëve të Jashtme, Presidenti Ilir Meta mendon të vendosë një standard të ri. I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, gazetari u shpreh se Meta synon që roli i Presidentit të mos jetë më vetëm konfirmues, por edhe aktor në kabinetin qeverisës së vendit.

“Shkollimi dhe karriera politike janë dy gjëra të ndryshme. Nuk dua t’i hyj Cakës si person, por Presidenti po vendos një standard. Presidenti mendon që këtë standard do ta vendosë tani e tutje. Po ndërton një standard sipas të cilit Presidenti nuk mund të jetë thjesht konfirmues, por edhe aktor në kabinetin qeverisës”, tha Fevziu.

Që prej ditës, kur Kryeministri Rama çoi për dekretim emrin e Genti Cakajt pati reagime të ndryshme duke qenë se është shqiptar i Kosovës. Por Fevziu u shpreh në ABC News se këtu nuk bëhet fjalë për të refuzuar një shqiptar të Kosovës, pasi ata veçse e nderojnë Shqipërinë.

“Këtu nuk bëhet fjalë për të refuzuar një kosovar, por një figurë politike për një rol në Shqipëri. Kam dëgjuar disa komente, që çdo ky shqiptar i Kosovës në qeveri. Çdo shqiptar i Kosovës e nderon Shqipërinë. Në mënyrë absolute çdo shqiptar i Kosovës nuk mund të ketë kufij. Mjafton të jetë shtetas i Shqipërisë. Kaq është kriteri. Unë nuk besoj që Presidenti dhe s’do ta besoj kurrë, që Presidenti e refuzon se është shqiptar i Kosovës”, u shpreh Fevziu.

Këtë të mërkurë, Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Genti Cakajt. Sipas tij, Shqipëria është në momente vendimtare sa i takon politikës së jashtme, ndërsa Cakaj nuk ka përvojën e duhur politike dhe diplomatike./abcnews.al