Reformimi i BE-së, Merkel pret Macron në Berlin

schedule15:48 - 19 Prill, 2018

schedule 15:48 - 19 Prill, 2018

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, konfirmuan vullnetin e tyre për reformimin e BE-së brenda Qershorit. Gjatë një takimi në Berlin, dy liderët folën edhe për çështje të tjera.

Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, ka pritur në Berlin Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili po negocion për të marrë mbështetje për planin e tij për reformimin e Bashkimit Europian. Përveç kësaj, dy liderët biseduan edhe për konfliktin në Siri, mardhëniet me Rusinë dhe për luftën tregtare me SHBA-të e Donald Trump. Pas takimit ata dolën në një konferencë për shtyp, ku vëmendjen kryesore e mori çështja e reformimit të Unionit.

Angela Merkel: “Kemi rënë dakord që nga këtu se në Këshillin Europian në Qershor duhet të marrim vendime të rëndësishme për t’i dhënë Europës një shtysë të re. Kjo është e nevojshme për t’i dhënë qytetarëve europianë përgjigje për sfidat e mëdha aktuale”.

Emmanuel Macron: “Brenda Qershorit kemi për qëllim të prezantojmë një vizion të përbashkët për kontinentin, që vendoset në rrezik nga nacionalizmi I fortë që mbizotëron në disa vende. Tani është periudha vendimtare për të punuar për të ardhmen e Europës, pasi sovraniteti jonë i përbashkët po vendoset në provë”.

Më tej, dy liderët folën edhe për problematikën që ka BE-ja me emigrantët dhe refugjatët. Për këtë, Merkel tha se brenda Qershorit duhet të zgjidhet çështja e reformimit të sistemit të azilit. Ndërsa presidenti francez nënvizoi se kjo është një çështje që nxit nacionalizmin tek disa shtete të BE-së.

“Duhen elemente solidariteti të jashtëm dhe të brenshëm në Union për menaxhimin e emigrantëve në Europë”, tha Macron.

Gjithashtu kërkoi mbrojtjen dhe rritjen e investimeve në kufijtë e përbashkët si dhe harmonizimin e rregullave të pritjes së emigrantëve. Ky takim mes tyre vjen pas fjalimit të Macron në Parlamentin Europian ku prezantoi idetë e tij të reformimit të BE-së. Gjithashtu u zhvillua para vizitës që Merkel dhe Macron pritet ta zhvillojnë në Uashington./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!