SHQIPËRI- “Partia Demokratike ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore”, tha Basha.
Dhe këtë Lulzim Basha falënderoi tre ambasada në vend, duke nënkuptuar se ka negociuar me ta, për të riaktivizuar punën në Komisionin, e njëherësh se ai është i zgjedhuri nga faktori i huaj mes grupeve demokrate, për të realizuar reformën elektorale. Por kjo siç duket nuk qëndron plotësisht. Ambasada e SHBA-së, thotë se nuk ka bërë asnjë ndërmjetësim, por është pjesë e misionit të saj të zhvillojë takime me bashkëkryetarët dhe anëtarët e Komisionit.
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, tha ambasada amerikane.
As Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë, nuk pati tjetër qëndrim në raport me deklaratën e Lulzim Bashës.
“BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve”
Njësoj ishte dhe qëndrimi i ambasadës britanike, që e përmendi Lulzim Basha.
“Nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe konstruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar”
Selitë më të rëndësishme në vend megjithatë vijojnë të theksojnë nevojën që kjo reformë të realizohet pa humbur kohë. Të premten e 19 janarit, është dakordësuar mes dy bashkëkryetarëve, Gjiknuri dhe Alibeaj, që të mblidhet Komisioni, e të nisin diskutimet për ligjin elektoral.
Këtë të martë, dy bashkëkryetarët, Gjiknuri e Alibeaj zhvilluan takime veç e veç, me një përfaqësi të OSBE-së, me kërkesë të vetë Prezencës.
“Pata kënaqësi të takoja sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri me të cilët diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjiknuri.
/abcnews.al