Kërcënon Alibeaj: Po nuk pranuan kërkesat, nuk e kanë votën tonë

schedule13:34 - 30 Janar, 2024

schedule 13:34 - 30 Janar, 2024

Bashkëkryetari i komisionit te reformës zgjedhore Enkelejd Alibeaj kërcënon se nuk do te japin votat per draftin nese nuk miratohen propozimet e  bëra nga PD.

Në një intervistë për ABC News ai tha se nuk janë vetëm 3 propozime për zgjedhoren por një paketë e plotë nga PD.

“Nuk janë 3 propozime, janë më shumë se sa 3 propozime. Janë jo vetëm listat e hapura, Shqipëria një zonë, votimi dhe numërimi elektronik dhe vota e Diasporës, por kemi edhe drafte të tjera të depozituara 1 vit e gjysmë më parë për garancinë e procesit. Ndalimet që duhet të ketë qeveria për të mos përdorur administratën, për të mos përdorur paratë e buxhetit të shtetit, për të mos bërë punësime, për të mos përdorur elementë të tjerë të krimit.

Është një paketë e plotë. Ne votën tonë e japim pikërisht për këto sugjerime. Nëse nga përfaqësues, më së pari të opozitës, anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, do të ketë propozime, që përforcojnë këto çështje, jam i hapur që t’i diskutojmë, plotësojmë dhe ne si opozitë të shkojmë me platformë të përbashkët.

Partia Demokratike ka qenë gjatë gjithë kohës e përfshirë në kauza politike. Reforma zgjedhore është një, vettingu politik është tjetri. Ju e quani një sallë parlamenti aty ku mazhoranca fërkon duart dhe barkun bashkë me to për të kaluar ligjet shpejt e shpejt? Ju e quani sallë parlamenti, një vend ku ndizen flakadanë dhe ka zhurmë? Parlamenti nuk është as i deputetëve të mazhorancës, as i opozitës. Është i shqiptarëve. Është vendi ku duhet t’u flitet shqiptarëve. Ky është parlament, ndryshe është fushë betejë që nuk ka lidhje me parlamentin. Fuqia e fjalës dhe vota janë dy elementët që kemi ne”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!