Reforma në Drejtësi, Manja: Kemi hyrë në fazën e konsolidimit, lufta kundër korrupsionit në rrugën e duhur

schedule18:38 - 13 Qershor, 2022

schedule 18:38 - 13 Qershor, 2022

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në Konferencën e Parë Kombëtare Antikorrupsionit deklaroi se Reforma në Drejtësi është tashmë në fazën e konsolidimit pasi faza e parë sipas tij është përfunduar me sukses.

Manja theksoi se SPAK dhe BKH kanë dhënë rezultate të prekshme tashmë në goditjen e korrupsionit në nivele të larta.

Arritjet në luftën kundër korrupsionit, shtoi ministri, nuk do të ishin bërë të mundura nëse qeveria nuk do t’i kushtonte një rëndësi të veçantë këtij sistemi me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit.

“Jemi këtu falë vullnetit tonë politik të palëkundur. Por dhe me mbështetjen e SHBA-ve. Reforma në Drejtësi pas 6 vitesh, konstatoj se faza e parë ajo e ngritjes dhe funksionalitetit, është tashmë e përfunduar. Kemi hyrë në fazën e dytë të konsolidimit. A i kemi mekanizmat e duhur antikorrupsion?

Rezultati i parë është vettingu. Sot që flasim 60 për qind e magjistratëve kanë kaluar në sitën e vettingut. Shifrat janë kokëforta, lufta kundër korrupsionit brenda këti sistemi ka qenë në rrugën e duhur. Dua të vë në dukje funksionimin e SPAK dhe BKH, kanë dhënë rezultate të prekshme në goditjen e korrupsionit në nivele të larta të korrupsionit. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme dikur. Kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa mbështetjen e duhur buxhetore financiare nga qeveria. 2016-2022, 104 milionë lekë pa përfshirë ato që ka dhuruar SHBA e BE. Jemi të gatshëm që të buxhetojmë shtimin e numrit të prokurorëve, drejt atij numri që do të çmohet i nevojshëm,” tha Manja. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!