Nga Juxhin Mustafaraj
Aldo Bumçi u mandatua si një nga anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të drejtimit të PD në 11 dhjetor. Ditën që zyrtarisht Partia Demokratike ka thirrur Kuvendin në Pallatin e Kongreseve ai dhe kolegët e tij kanë thirrur anëtarësinë e PD në referendumin që shtron si pyetje shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Por a ka gjasa që dy procese paralele mes demokratëve të përfundojnë në përplasje?
“Është vendimi i Kuvendit që anëtarësia të shprehet në referendum për shkarkimin e Bashës. Ne nuk duam përplasje me askënd”, shprehet ai.
Referendumi pritet që në pjesën më të madhe të zhvillohet në ambiente private. “Aty ku nuk ka pasur vullnet për të përdorur zyrën ne kemi marrë ambiente të tjera”, shprehet Bumçi.
Por a do të rikthehet Komisioni i rithemelimit pas datës 18 në selinë e PD?
“Patjetër, Pas datës 18 kjo është selia e demokratëve. Dhe këtu do e ketë shtëpinë. Është shtëpia e të gjithë demokratëve”, deklaroi ai.
Berisha paralajmëroi pak kohë më parë se mbërritja e Vuçiç në Tiranë do të shoqërohet me protesta dhe Bumçi konfirmon se thirrja për protesta nuk do të mungojë.
“Një gjë është e sigurt që ne do të nisim protestën kundër Edi Ramës. Me 18 Dhjetor objektivi ynë është Edi Rama. Lulzim Basha është e kaluara”, thotë demokrati.
Askush nuk e pranon se PD është ndarë pas 11 dhjetorit por fakt është se të shtunën demokratët me mandate përfaqësimi janë thirrur të jenë në Kuvend me Lulzim Bashën teksa anëtarët në rrethe janë ftuar të votojnë për shkarkimin e Lulzim Bashës. m.v/Abcnews.al