Referendumi, Kasami: Së pari ndryshimet në Kushtetutë

schedule19:50 - 3 Tetor, 2018

schedule 19:50 - 3 Tetor, 2018

Kryetari i lëvizjes Besa në Maqedoni ka deklaruar se vendi ka shanse për të miratuar ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja me Greqinë para se të shkojë në zgjedhje. Në një intervistë për “TV Klan Maqedonia”, Bilal Kasmi ka nënvizuar se në ndryshimet kushtetuese duhet të përfshihen edhe kërkesat dhe interesat e shqiptarëve.

Kreu i Lëvizjes opozitare Besa, Bilal Kasami, në një prononcim për Tv Klan ka komentuar situatën pas referendumit të pasuksesshëm në Maqedoni. Sipas tij, partitë për kapërcimin e krizës politike duhet të kenë parësore interesat e qytetarëve. Kasami është i mendimit se parlamenti duhet të bëj së pari ndryshimin e Kushtetutës, konform marrëveshjes së arritur me Greqinë, për emrin, e pastaj të shkohet në zgjedhje.

“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi fuqishëm që të mos humbim kohë, por të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të vendosim bashkarisht se kur do të shkojmë në zgjedhje. Nëse partitë dalin përmbi interesat politike, ky legjislacion e ka ende mundësinë të marrë vendime të rëndësishme për shtetin”, shprehet Kasami.

Megjithatë, kreu i Lëvizjes Besa angazhohet që në ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë të shikohen edhe interesat e shqiptarëve të këtushëm.

“Kushti ynë do të jetë mbrojtja e interesave shqiptare. Shqiptarët duhet që në Kushtetutë të specifikohen si shqiptarë në pjesën ku flitet për gjuhën shqipe”, thotë Kasami.

Lidhur me deklaratën e shefit të diplomacisë geke Nikos Kocias dhënë televizionit shtetëror grek, i cili kishte veçuar rolin e partisë Besa siç tha, në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në referendumin e së dielës, kreu i Lëvizjes Besa tha se pavarësisht pretendimeve për ndikime, opozita shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm duke siguruar vota të mjaftueshme që referendumi të jetë i sukseshëm.

“Pretendimeve për ndikime rajonale, sikurse tha ministri grek, unë u them se votat dhe numrat këtu tregojnë se realiteti është ndryshe. Mbi 150 mijë vota janë vota të opozitës shqiptare dhe ato bënë që referendumi të kalojë kushtin politik dhe të llogaritet si i suksesshëm”, theksoi Kasami.

Aktualisht, në referendumin e së dielës nuk u arrit censusi për kalimin e tij dhe kjo e ka futur vendin në një ngërç për kapërcimin e të cilit do të duhet edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!