Televizioni shtetëror i Serbisë në një artikull për referendumin lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruan se ende nuk dihet se për çfarë do të pyetën qytetarët. Ndërsa zëvendëkryeministri serb thekson se qeveria nuk kërkon të shmangë përgjegjësitë e saj me anë të referendumit.
Prej disa javësh në Serbi qarkullojnë mendime të ndryshme lidhur me referendumin që do të zhvillohet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Drejtuesit e qeverisë së Beogradit tashmë kanë pranuar se pa gjetjen e një zgjidhje nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Europian. Televizioni shtetëror i Serbisë nënvizon se deri në përfundimin e dialogut të brendshëm nuk dihet zyrtarisht nëse do të ketë referendum dhe për do të pyeten qytetarët.
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiç, thotë për RTS, se referendumi nuk është një opsion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por një mënyrë që qytetarët në referendum, lirisht dhe në mënyrë demokratike të shprehin mendimin e tyre për zgjidhjen e propozuar nga politikanët. Kjo, sipas tij, nuk është ikje nga përgjegjësia.
Nëse do të ndryshohej preambula kushtetuese që i referohet Kosovës, do të ishte një referendum kushtetues, që do të ishte i detyrueshëm. “Nëse do të nxirrej ligji për autonomi thelbësore për Kosovën, do të duhej të thirrej një referendum, në mënyrë që të miratohej një ligj i tillë. Zgjidhja tjetër, ku do të ndryshohej territori i Serbisë, e cila mund të gjendet në forma ligjore ndërkombëtare për një shtet tjetër të ardhshëm të Kosovës, do të duhej të kërkohet mendimi i qytetarëve në referendum”, thotë Sllobodan Orloviç, profesor në Fakultetin Juridik të Novi Sadit.
Referendume të tilla kishte tre në Serbi. Në vitin 1992 pushteti i pyeti qytetarët për ndryshime në Kushtetutë, gjashtë vjet më vonë, nëse janë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të huaj në zgjidhjen e problemeve në Kosovë, si dhe në vitin 2006 kur u deklaruan për aktin më të lartë juridik. Nëse do të ketë referendum dhe me çfarë pyetje, do të jetë më e qartë pas pranverës pasi deri atëherë do të zhvillohet dialogu i brendshëm./abcnews.al