Nxënësit e shkollës Nënë Tereza në qytetin e Lezhës për t’u futur në klasë e kanë pothuajse të pamundur nga uji. Megjithatë disa prej tyre e kanë gjetur zgjidhjen, duke u kapur pas kangjellave të shkollës.
Katër shtëpi në fshatin Kakariq janë ende nën ujë. Kjo po u kushton shume këtyre familjeve. Në Lezhë, ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla.
Ndërsa aksi që lidh fshatin Blinisht-Superstradë, në Lezhë-Shkodër ka rënie të nivelit të ujit, por vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës.
Në Shkodër vihet re një tërheqje e ujit, krahasuar me një ditë më parë, kur sipërfaqja e përmbytur ishte 1365 hektarë. Sot është 1130 hektarë. Problem vijon të jetë Oboti. Banorët thonë se dëmet e shkaktuar janë të mëdha.
“Serat nëpër ujë janë të tëra. Gjëja e gjallë, kot sa me thënë që janë gjallë. Të gjitha kulturat bujqësore, I kam në ujë.”
Familjet që janë evakuuar nëpër konvikte, vijojnë të marrin shërbime nga ana e bashkisë. /abcnews.al/