Izolimi shkakton probleme të mëdha te njerëzit, sidomos tek ata që merren me aktivitet fizik dhe ushtrojnë sporte të ndryshme. Redi Jupi, një personalitet i njohur i botës së futbollit, ish-lojtar i kombëtares shqiptare, trajner i Shqipërisë U21 për disa kohë, bën thirrje që qeveria të mendojë edhe për ata që duan të merren me sport, qoftë edhe në nivele amatore.
Në një lidhje direkt me ABC News, Jupi u përgjigj pyetjeve të gazetares Suela Demiri dhe fillimisht foli për ndikimin që ka mungesa e aktivitetit fizik tek vetë ai. “Nuk e ndjej veten mirë. Ngushëllimi i vetëm është se kjo është një situatë botërore, jo vetëm lokale. Jam mundura të përgatitem psikologjikisht, por është shumë e vështirë. Kjo sepse metabolizmi është mëzuar me aktivitet, me një lëvizje të caktuar. E kam të nevojshme të shpenzoj kalori dhe kjo bëhet vetëm përmes aktivitetit fizik”, shprehet Jupi fillimisht.
Më pas ai thekson dëmin që shkakton te fëmijët që merren me futboll kjo periudhë e gjatë pushimi. “Në fakt pak flitet për stërvitshmërinë e fëmijëve dhe sa dëm i ka bërë kjo periudhë pa aktivitet. Një fëmijë që ushtron futbollin deri në moshën 18 vjeç, ka një jetëgjatësi të sportit rreth 6-7 vjeçare. Me këtë pushim i bie që një vit fëmijët ta humbin, pasi sado ushtrime t’u japësh atyre në kushte shtëpie, sado të punojnë me topin apo të bëjnë ushtrime izomerie, e gjëra të tjera, është e pazëvendësueshme stërvitja në grup”.
Shqetësimi tjetër i Jupit është ana psikologjikë e fëmijëve dhe jo vetëm: “Nuk jam i shqetësuar vetëm për gjendjen fizike të tyre, por edhe për atë psikologjike. Jo vetëm për fëmijët, por për këdo që merrte me sport. Sporti është rregullator i fortë për shëndetin fizik dhe mendor. Nuk e ekzagjeroj kur e them këtë. Unë e kam të pamundur që të rregulloj mënyrën e të ushqyerit, mënyrën se si fle, mënyrën se si jetoj, pa bërë aktivitet fizik. Kjo u ndodh një pjesë të madhe të njerëzve që merren me sport.
Të merresh me sport, edhe në nivel amator, edhe për ata që bëjnë vrap nga liqeni apo bëjnë ecje, të krijon mundësinë e një balancimi të dietës ushqimore. Kur nuk merresh me sport ha më shumë se kur merresh. Rregullohen shumë gjëra kur merresh me sport, edhe në aspektin mendor. Është shumë e rëndësishme të rikthehemi sa më shpejt në normalitet”.
Në fund Jupi bëri edhe një kërkesë për autoritetet: “Risku i kontaminimit për një person që vrapon i vetëm është gati zero. Nuk po e shpikim ne. Në Francë plotëson një formular dhe një pikë është edhe aplikimi i sportit. Kërkesat nga ushtruesit e sportit janë të pakta këtu, presioni nga grupi i interesit është i vogël, pasi ka pak njerëz që merren me sport. Duhet të çojmë zërin, duhet një kërkesë e tillë. Është e nevojshme, e domosdoshme. Nuk duhet neglizhuar edhe kjo, pasi është domosdoshmëri edhe ushtrimi i sport”. /abcnews.al