Reali në krizë të plotë, Zidane pranë shkarkimit

schedule16:12 - 25 Janar, 2018

schedule 16:12 - 25 Janar, 2018

Reali i Madridit në krizë të plotë pas turpërimit në Kupën e Spanjës. Trajneri Zidane rrezikon seriozisht postin, dhe vetëm Championsi mund të shpëtojë këtë sezon të dështuar.

Përfundimi në “Bernabeu” ishte kështu.

Vërshëllima për madrilenët, dhe lumturi e jashtëzakonshme për Leganjesin modest.

Edhe kjo i mungonte një sezoni thuajse të dështuar për Realin, pra eleminimi që në çerekfinale nga Kupa e Mbretit.
Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë nuk ndihmoi ndërsa trajneri Zidane rrezikoi shumë duke lënë jashtë shumë nga titullarët.

Eksperimenti i detyruar edhe nga ngarkesa e madhe e sezonit, iu kthye në një dështim që mund të quhet katastrofë.
Vetë francezi nuk u shmang pas ndeshjes.

Zinedine Zidane: “Jam unë përgjegjësi për këtë që ndodhi. Për mua është një dështim i qartë dhe jam shumë i dëshpëruar e i zhgënjyer. Do ta marr përsipër përgjegjësinë, por duhet të nisim të punojmë që nesër për të menduar për ndeshjen e së shtunës. Menduam se mund t’ia dilnim pas fitores së ndeshjes së parë, por gabuam. Kundërshtari bëri një ndeshje të vërtetë, ndërsa ne jo. Është një goditje shumë e fortë për ne dhe për mua”.

Turpërimi ishte i plotë pasi Leganjes ishte për herë të parë në histori në çerekfinale të Kupës, dhe për herë të parë u kualifikua për në gjysmëfinale.
Kritikat nga mediat spanjolle erdhën si rrebesh për skuadrën kampione të Spanjës, të Europës dhe të Botës.

“Marka”: “Tronditje dhe turpërim! Të bardhët largohen edhe nga Kupa, në katastrofën e parë të madhe të epokës Zidan. Vërshëllima për trajnerin dhe ekipin, por Leganjes e meritoi”.

“AS”: “1-2, Kataklizmë! Zidan: Ishte një katastrofë shumë e qartë për mua”! Emri i Leganjesit do të ushtojë në të gjithë botën”!

“El Mundo Deportivo”: “As kampionat, as kupë! Shpërthim i madh i Leganjesit në “Bernabeu”. Mbetet vetëm Championsi për të shpëtuar Realin e Zidanit”!

“Sport”: “Mallkim i plotë! Pa kampionat dhe pa kupë, dhe turpërim me Leganjesin për Madridin. “Bernabeu” kundër lojtarëve, kërkon largimin e Zidanit”!
Eleminimi nga Kupa ishte thjesht një tjetër goditje në një sezon shumë të keq.

Reali është në vend të katërt në ligën spanjolle, plot 19 pikë prapa Barcelonës kryesuese, pra praktikisht nuk e mbron dot titullin.
Edicioni mund të shpëtohet dhe Zidan të mbajë postin vetëm nëse fitohet Liga e Kampionëve, veçse përballë Paris SG pritet të jetë shumë e vështirë./abcnews.al