Kësaj skuadre duket sikur hera-herës i merren këmbët.
Reali mund të jetë kampion i Spanjës dhe i Europës në fuqi, dhe me një seri të gjatë pathyeshmërie, por sfida e kampionatit ndaj Alaveshit e nxorri sërish zbuluar.
Edhe pse të besuarit e trajnerit Karlo Ançeloti patën epërsi për 80 minuta dhe iu afruan një fitoreje të thellë, në fund e ulën ritmin dhe rrezikuan barazimin.
Lukas Vaskez realizoi që në minutën e parë për vendasit në “Santiago Bernabeu”, pastaj Kilian Mbape shënoi një gol të madh, në kombim me anglezin Belingham, ndërsa me të nisur pjesa e dytë ishte radha e brazilianite Rodrigo.
Sulmuesi fiksoi shifrat 3-0.
Gjithsesi, përballja nuk ishte aspak e lehtë.
Alavesh luftoi fort dhe pati më shumë gjuajtje sesa Reali, 12 ndaj 10, ndërsa goditjet në kuadrat ishin 4-3 për madrilenët.
Në minutat 85 e 86, miqtë shënuan dy herë radhazi dhe në fund patën mundësi për të barazuar në 3-3.
“Reali luajti me zjarrin, – kritikoi “Marka”, – nga spektakli u arrit në vuajtjen në fund. Alavesh kërkoi përjashtimin e Endrikut!”
Ishte pikërisht një moment kur sulmuesi adoleshent brazilian u duk se u fal nga arbitri.
“Simfoni e pakompletuar, – është titulli I të përditshmes tjetër të Madridit, “AS”, – Reali jep spektakël për 80 minuta, por në fund mezi priti përfundimin e ndeshjes!”
Pavarësisht kritikave, skuadra e Ançelotit ka 39 ndeshje pa u mundur, diçka që mund ta bëjë lehtësisht edhe kur nuk shkëlqen plotësisht.
“Thjesht dua të përsëris atë që kam thënë më parë. Ka ndryshuar mënyra e arbitrimit, dhe duhet të përshtatemi. Duket qartë se nuk jemi përshtatur sepse kemi marrë këtë periudhë 4 apo 5 kartonë të verdhë për protesta. Duhet që t’i shmangim protestat, dhe kaq! Nuk është puna nëse më pëlqen apo jo, duhet të përshtatemi me rregullat”.
Reali është në vend të dytë në kampionat, me 17 pikë, me 5 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, ndonëse duket se ka diçka më pak se Barcelona./abcnews.al



