Reali i Madridit tregoi se mbetet kampion i Europës

schedule13:52 - 15 Shkurt, 2018

schedule 13:52 - 15 Shkurt, 2018

Reali i Madridit fitoi sfidën më të madhe të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve. Skuadra spanjolle triumfoi bindshëm ndaj Paris Sen Zhermenit, me Ronaldon që vendosi rekorde të reja.

Iu përgjigjën thirrjes nga idhujt e tyre.

Tifozët madrilenë ishin në krah të ekipit që nga hoteli e deri në përfundim të ndeshjes së veçantë ndaj Paris SG në Champions.

Futbollistët e Realit kishin kërkuar mbështetje maksimale dhe padyshim u lumturuan kur ndjenë atmosferën në prag të sfidës në “Santiago Bernabeu”.

Autobusi i kampionëve të Europës u shoqërua nëpër kryeqytet sikur të kishte fituar ndonjë trofe të madh, dhe mbështetja e nxehtë I bëri edhe më të fortë, kur hyrë në stadium për të luajtur ndaj asaj skuadre që kërkon t’i rrëmbejë vendin në kontinent.

Futbollistët madrilenë ia shpërblyen këtë përkrahje të rrallë publikut të tyre, ndonëse kishin përballë një formacion elitar si PSG-ja, dhe ndonëse pësuan gol të parët.

I ndihmoi përvoja e madhe prej 12 herë kampionësh të Europës, egoja e veçantë e yjeve, por po ashtu edhe fakti se Championsi është shpresa e fundit për të shpëtuar sezonin.

Suksesi 3-1 në përfundim të sfidës së parë të turit të dytë, i vuri në pozicion të favorshëm për të synuar kualifikimin.

Ja si u shpreh Kristiano Ronaldo, autor i dy rrjetave.

Ronaldo: “Po, ishte një fitore e rëndësishme. E nisëm ndeshjen mirë, por pësuam gol, veçse ky është Championsi. Reali ka përvojë dhe di t’i përballojë situata të tilla, ndërsa ne e dinim se duhej të merrnim një rezultat pozitiv. Rezultati me dy gola epërsi na jep një avantazh mjaft të mirë. Në pjesën e parë bëmë presion të madh, ndërsa pas pushimit u lodhëm pak, veçse u treguam të zgjuar dhe patën më shumë raste”.

Ronaldo ka tani 101 gola me Realin në Champions, një rekord i ri.

Ronaldo: “Po, është shumë e rëndësishme të shënosh golat, për veten dhe për ekipin. Këtë herë pata sukses duke realizuar dy herë dhe duke ndihmuar ekipin për të fituar, por e dimë se kualifikimi nuk është vendosur. Duhet të shkojmë në Paris për të shënuar dhe për të fituar”.

Gjithsesi, strategu ishte Zinedin Zidan.

Trajneri u tregua vendimtar me zëvendësimin e dysfishtë, duke hedhur në fushë Lukas Vaskezin e Marko Asension.

Pikërisht ky i fundit dha pasimin e dy golave të fitores.

Zidan: “Mendoj se duhet të jemi shumë të kënaqur me këtë ndeshje që e luajtëm shumë mirë, që nga fillimi deri në fund. Ia dolëm edhe pse pësuam gol dhe arritëm një rezultat të mirë. Dua të përgëzoj gjithë ekipin, sepse ishte fitore e të gjithëve. Sot ia dolëm, por ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë dhe gjithçka mund të ndodhë”.

Kapiteni Sergio Ramos, një nga më të mirët në fushë, vlerësoi faktin se skuadra e tij reagoi pas një periudhe të vështirë, duke mos lejuar dështimin e gjithë sezonit, po ashtu përballoi presionin e madh në një ndeshje për jetë e vdekje.

Tifozët padyshim që ishin në festë.

Skuadra e tyre e zemrës i bëri krenarë me një tjetër paraqitje madhështore, duke i bindur se mbetet më e mira e Europës.

Le të ketë krizë në La Liga, le të eleminohen në Kupën e Mbretit, Championsi mbetet gjithnjë kompeticioni i Realit të Madridit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!