Barcelona dhe Reali i Madridit po kalojnë krizë rezultatesh në ligën spanjolle. Kritikat janë të shumta, ndonëse dy skuadrat mbeten në krye të kampionatit.
Kur Messi e nis nga stoli, diçka nuk shkon.
Nuk mund të imagjinohet një Barcelonë pa të në fushë, veçse normalisht që mund të ketë ndeshje kur mund të mos luajë.
Ja pra, që katalanasit nuk qenkan të përgatitur për këtë ditë.
Barazuan 1-1 në “Camp Nou” ndaj Atletikut të Bilbaos, duke rrezikuar të humbisnin, ndërsa vazhdojnë krizën e rezultateve dhe të paraqitjeve në La Liga.
Jo më kot, gazeta “Marca” theksonte në një opinion se “jeta është e vështirë pa Xavin dhe Iniestën”, me dy stërtalentet të larguar tashmë nga Barça.
U desh futja e Messi-t në lojë pas pushimit, që të shihnim ekipin që kemi parë gjithnjë.
Karakteri dhe etja gjithnjë e pashuar për fitores e argjentinasit, ndryshoi ndeshjen, edhe pse fati nuk ishte me kampionët.
U goditën dy herë shtyllat, por më në fund goli erdhi.
Realizues ishte El Hadadi, por pas këmbënguljes së dyfishtë të Mesit.
Barça mbeti në krye edhe pas takimit të tretë radhazi që nuk fiton, ndërsa kapiteni u përpoq të qetësonte ambientin.
“Nuk jemi të shqetësuar, sepse sezoni është i gjatë dhe është vetëm fillimi, por jemi të inatosur për rezultatet e fundit. Ne nuk i prisnim këto rezultate. Në ndeshjen e kaluar ne luajtëm mirë në pjesën e parë, por humbëm, ndërsa këtë herë krijuam shumë raste, por nuk fituam. Gjithsesi, duhet të jemi shumë më të fortë në mbrojtje”.
Mediat spanjolle, u morën direkt me katalanasit, por edhe me Realin që barazoi në derbin ndaj Atletikos.
“Marka” titullon për derbin: Dy portierë të mëdhenj, dhe një ligë pa padron!
“AS”: Derbi i portierëve! As Modriç dhe as Griezman nuk ishin në nivelin e Cristianos apo Messit”
“El Mundo Deportivo”: Kryesues! La Liga vazhdon po e njëjta! Barça merr vetëm 2 pikë nga 9, por mban kreun pas ndalesës së Realit!
“Sport”: Kryesues, pavarësisht gjithçkaje! Barça vazhdon ecurinë negative, por shpëton një pikë falë Messit!
Reali nuk mundi të përfitonte nga ndalesa e Barçës, pasi u ndalua për vete.
Atletiko e Madridit mbeti “mace e zezë”, duke i marrë barazimin pa gola në “Bernabeu”, pasi e mundi në finalen e Superkupës së Europës.
Kampionët e Europës ishin më mirë se kundërshtari, por nuk mundën të shënonin, dhe pas pushimit shumë tifozë thirrën në kor emrin e Kristiano Ronaldos.
Pas 7 javëve në La Liga, Barcelona kryeson me 14 pikë, po aq sa Reali, por Sevilja dhe Atletiko janë shumë pranë./abcnews.al