Nuk është një moment i mirë për Real Madrid. Pas humbjes në mesjavën e Champions kundë Liverpul, skuadra e Xabi Alonso frenon edhe në La Liga.
Madrilenët nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola në transfertën kundër Rayo Vallecano, duke I dhënë një asist rivalëvë të përjetshëm të Barcelonës në garën për titullin kampion.
Skuadra blaugrana e mori me shumë dëshirë këtë dhuratë, ndërsa fitoi sfidën e saj 4-2 në transfertën e Celta Vigo për të ngushtuar sërish diferencën në krye të renditjes në kampionatin spanjoll.
Në një sfidë të mbushur me gola dhe shumë emocione, protagonist absolut ishte Robert Levandovski.
Sulmuesi polak hapi serinë me 11 metërshin e minutës së dhjetë.
Por festa e miqve zgjati pak. Vetëm pas rinisjes së topit nga qëndra, të zotët e shtëpisë barazuan shifrat me Carreira.
Goditjet dhe kundërgoditjet vijuan deri në fundin e pjesës së parë.
Levandovski gjeti sërish rrugën e rrjetës në minutën e 37-të.
Celta Vigo u përgjigj me Iglesias, por shpresat e vendasve për një rezultat pozitiv I sfumuan përpara pushimit, kur në shtesë Lamine Yamal shënoi edhe golin e tretë për Barcelonën.
Në pjesën e dytë, Levandovski plotësoi mbrëmjen e madhe personale dhe atë të skuadrës blaugrana, duke vulosur fitoren me realizimin e minutës së 73-të.
Në shtesën e ndeshjes, de Jong la fushën me karton të kuq, por kjo nuk e prishi festën e Barcelonës që ngjitet në kuotën e 28 pikëve, vetëm tre më pak se Real Madrid, që tani ndjen afër presionin në garën për titullin kampion në La Liga./abcnews.al

