Paulo Dybala te Real Madrid dhe Isco te Juventus. Kjo është ideja më e fundit që vjen nga Spanja për sa i përket merkatos. Sipas raportimit të portalit “todofichajes.com”, madrilenët e kërkojnë me çdo kusht sulmuesin e bardhezinjve dhe për të arritur tek ai, ato janë të gatshëm të sakrifikojnë fantazistin e tyre.
Në fakt ka disa javë që flitet se argjentinasi ka nisur bisedimet me Juventusin për rinovimin e kontratës së tij, e cila përfundon në vitin 2022. Mirëpo, aktualisht çdo gjë ka mbetur pezull, pasi agjentët e Dybalës janë larguar drejt Argjentinës, duke ndërprerë kështu bisedimet. Kjo i shton edhe më shumë zërat për një largim të mundshëm të tij, ku Reali është gati të përfitojë.
Ndërkohë situata e Iscos është krejt tjetër. Spanjolli është harruar në stol nga trajneri Zidane dhe është vetë ai që ka kërkuar largimin nga Madridi. Kontrata e tij përfundon në vitin 2022, por me shumë mundësi 28-vjeçari nuk do ta respektojë atë. Gjithashtu në garë për shërbimet e tij është edhe Everton, ku Isco mund të ribashkohet sërish me Carlo Ancelottin. /abcnews.al

