Milan përgatit “revolucionin”/ Klubi kuqezi nxjerr në shitje Theo Hernandez dhe Rafael Leao

schedule12:36 - 4 Mars, 2025

schedule 12:36 - 4 Mars, 2025

Na ishin njëherë Theo Hernandez dhe Rafael Leao, që jetonin në një Milan fitues dhe të lumtur. Por kjo histori nuk do të ketë një fund të lumtur. Dy lojtarët më të mirë në titullin kampion të tre viteve më parë, janë kthyer në të akuzuarit kryesorë në sezonin e dështuar të skuadrës kuqezi.

Durimi i drejtuesëve të klubit u sos me humbjen e fundit kundër Lazio, që afroi me zeron shanset për një vend në Champions. Ky ishte fundi, pasi prej kohësh paraqitja e tyre le për të dëshiruar.

Askush nuk dyshon për talentin e dy lojtarëve, por te dëshira dhe impenjimi, që i ka penguar të bëjnë kapërcimin në kualitet. Për këtë arsye, duke qëndruar në atë që raportojnë mediat përtej Adriatikut, si Theo Hernandez ashtu edhe Rafael Leao do të shiten në fund të këtij sezoni. Valixhet gati duhet të bëjnë edhe disa lojtarë të tjerë, që gjithashtu do të sakrifikohen në revolucionin e ardhshëm të Milan.

Klubi kuqezi kërkon të ndërtojë një skuadër të re mbi disa kolona të rëndësishme të kësaj aktuale. Një prej tyre Tijani Reinders, mesfushori holandez që në mes të këtij cikloni ku është përfshirë ekipi kuqezi premtoi besnikëri, duke rinovuar kontratën deri në vitin 2030.

Me shumë mundësi, pjesë e projektit nuk do të jetë Sergio Conceicao. Aventura e teknikut pritet të përfundojë gjithashtu në fund të këtij sezoni, vetëm në rast të një mrekullie, që do t’i siguronte Milan një vend në Champions League edicionin e ardhshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!