NORVEGJI- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve në Oslo të Norvegjisë.
Ai tha se SHBA i ka shprehur qartë pakënaqësitë për aksionet që janë ndërmarrë ditëve të fundit në veri të Kosovës.
“Ne kemi qenë shumë të qartë për shqetësimet tona për disa nga aksionet e fundit që janë marrë. Ua kemi thënë këtë direkt liderëve, përfshirë edhe kryeministrit Kurti dhe po kërkojmë nga të dy liderët që të veprojnë me përgjegjshmëri.Eskalimi dhe aksionet të marra i çojnë dy vendet në drejtim të gabuar, sepse përgjigja që po kërkojmë është de-eskalimi, evitimi i çfarëdo veprimi të njëanshëm dhe kthimi në procesin e normalizimit dhe në përpjekjet evropiane çka u premton të dy palëve një të ardhme në komunitetin euroatlantik.SHBA mbështesin procesin e integrimit evropian për Kosovën dhe për Serbinë, por eskalimi aktual dëmton në vend se të ndihmojë përpjekjet për të lëvizur në atë drejtim”, tha ai.
Gjithsesi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se kryetarët e zgjedhur të komunave me shumicë serbe do të ushtrojnë detyrën në zyrë, duke kaluar kështu në plan të dytë thirrjen në bllok të shteteve perëndimore.
Nga ana tjetër, opozita dhe konkretisht Aleanca për Ardhmërinë e Kososvës e drejtuar nga Ramush Haradinaj është shprehur se, do të fillojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Albin Kurtit.
Sipas tyre, Kurti me veprimet e tij po cenon seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë këtu aleatin kryesor dhe më të fuqishmin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./n.m.abcnews.al