Në një intervistë për “Wall Street Journal”, ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka mohuar të jetë hetuar për korrupsion nga autoritetet shqiptare, sikurse ishte dhe motivi i ndalimit të hyrjes në territorin amerikan. Duke iu përgjigjur me email pyetjeve të “WSJ”, Llalla ka nënvizuar se gjithçka është produkt i një përplasjeje mes tij dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.
“Jam i sigurtë që ky është një vendim i marrë në bazë të keqinformimit të dhënë ndaj personit tim nga ambasadori Donald Lu në Departamentin e Shtetit”, ka thënë Llalla.
Autoritetet në Shtetet e Bashkuara njoftuan vendimin e tyre ndaj zotit Llalla ditën e enjte, përmes një mesazhi, ku nuk saktësoheshin aktet e korrupsionit për të cilat ai akuzohet. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka deklaruar të premten përmes postës elektronike se, qeveria amerikane ka informacione të besueshme se zoti Llalla është përfshirë në afera të mëdha korrupsioni gjatë qëndrimit në detyrë.
Por zëdhënësi nuk ka dhënë detaje të tjera. Llalla dhe Lu janë përballur për reformën në drejtësi, shkruan “WSJ”, një proces kyç për përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësëuar në Bashkimin Europian. Lu e ka akuzuar ish-kryeprokurorin në fillim të vitit 2017 se ishte shprehur kundër reformës, ndërkohë që vetë Llalla i cilësoi komentet e tij një përpjekje për të manipuluar opinionin publik.
Përplasja u thellua kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë asokohe i mohoi vizat një grupi gjyqtarësh e prokurorësh shqiptarë, pa publikuar emrat e tyre, por duke denoncuar “abuzimin flagrant me vizën zyrtare” të një prokurori të hershëm dhe familjes së tij. Llalla ka thënë se vizat e tij dhe bashkëshortes u anuluan vitin e kaluar pasi ajo udhëtoi në Shtetet e Bashkuara me një pasaportë diplomatike për shkak të disa problemeve shëndetësore.
Sipas Llallës, aëherë ajo ishte shtatëzënë dhe e solli në jetë fëmijën në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që atij iu komunikua më vonë nga zoti Lu se autoritetet nuk mund t’i përdornin vizat për vizita private. Në vijim të përgjigjeve për gazetën prestigjoze amerikane, Llalla ka thënë se nuk e di se çfarë provash kanë Shtetet e Bashkuara ndaj tij, por ka fajësuar ambasadorin Lu kur ka theksuar se ka keqinformuar vazhdimisht Departamentin e Shtetit mbi figurën e tij.
“Ai më ka fyer mua, familjen time dhe gjithashtu të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke na trajtuar si kriminelë e duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, ka shtuar ish-prokurori i pergjithshëm, Adriatik Llalla./abcnews.al