Reagimi i Fanatics: “Dede duhej larguar më parë, Halili e keqja e Tiranës”

schedule16:39 - 25 Janar, 2021

schedule 16:39 - 25 Janar, 2021

Dita e sotme ishte shumë e errët për Tiranën. 15 minuta para ndeshjes me Laçin për javën e 16 të Kategorisë Superiore trajneri Nevil Dede u largua nga drejtimi i skuadrës pas një bisede në zyrën e presidentit Halili.

Në fund Laçi fitoi edhe ndeshjen dhe e hoqi Tiranën edhe nga gara për titullin kampion, duke i dhënë një tjetër goditje të madhe. Pas gjithë këtyre ndodhive ka reaguar tifogrupi më i madh i kampionëve në fuqi, Tirona Fanatics.

Ata kanë postuar qëndrimin e tyre në një postim në Facebook. Fanatics janë të mendimit se Dede s’duhet të ishte vendosur trajner i Tiranës, por kritikojnë ashpër vendimin dhe mënyrën e shkarkimit nga ana e Halilit, të cilin e etiketojnë si e keqja e Tiranës.

POSTIMI – Sot nuk ndodhi asgjë më shumë sesa ajo që ka ndodhur vitet e fundit te Tirona. Ne mënyre të turpshme që vetëm pseudopresidenti mund ta bëjë, shkarkohet një trajner 15 minuta para fillimit të ndeshjes së sotme.

Një trajner që jo vetëm duhet të kishte ikur me kohë, por ndoshta as nuk duhej të kishte ardhur fare. Arsyeja e shkarkimit është akoma më e frikshme, një pseudopresident që nuk ka lidhjen më të vogël me drejtimin e një klubi sportiv apo me vetë futbollin vendos kë të hedhë e kë të heqë nga formacioni.

Sot u dëshmua dhe njëherë që fatkeqësia dhe e keqja e Tironës ka vetëm një emër: Refik Halili. Shpura që i vjen mbrapa janë bashkëpunëtor të amatorizmit dhe fëlliqësisë së tij! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!