Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç pritet të takohen në Bruksel

schedule10:24 - 25 Qershor, 2024

schedule 10:24 - 25 Qershor, 2024

Një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi i nivelit të lartë politik zhvillohet të mërkurën (26.06) në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që synon normalizimin  e raporteve ndërmjet dy vendeve. BE ka bërë të ditur, se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Pas një periudhe të gjatë ngërçi dhe raporteve tejet të tensionuara Kosovë-Serbi, takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e  Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ndërmjetëson, shefi në largim i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i ngarkuari  po ashtu në largim i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët, pasuar më pas nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e zyrës së Josep Borrell.

Kurti dhe Borrell duke shtrënguar duart

Takimi i fundit Kurti-Vuçiç para një viti

Ndërkohë sipas zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara. Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, për herë të fundit janë takuar me 14 shtator të vitit 2023, ku diskutuan për zbatimin e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Takimi i 26 qershorit të këtij viti, u dakordua pas vizitës në Prishtinë  dhe Beograd të të dërguarit në dialog Mirosllav Lajçak. Ky i fundit pas vizitës në Kosovë tha se, “ne kemi një marrëveshje, që duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni. Sipas emisarit Miroslav Lajçak, si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, “për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit”.

Takimi i fundit Kurti Vuçiq në Bruksel, 14 shtator 2023

Marrëveshja Kosovë-Serbi e obligueshme për të dyja palët

Marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve e cila u arrit vitin e shkuar, nuk është nënshkruar nga palët, por zyrtarë të BE-së disa herë e kanë përsëritur se ligjërisht kjo marrëveshje është e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.

Sidoqoftë, takimi i ri Kosovë-Serbi i nivelit të lartë politik mbahet në kohën kur zyrtarëve evropianë iu skadon mandati, pasi një periudhe pesë vjeçare si ndërmjetës  në procesin e dialogut me synimin normalizimin e  marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të shërbejë në këtë post deri në vjeshtë. Ndërsa, së shpejti do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i Miroslav Lajcak si ndërmjetës i dialogut pasi Lajcak tanimë është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ndonëse ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa strukturat e BE-së të gjejnë zëvendësuesin e tij./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!