Rastësi? Dy orë para paralajmërimit të Ramës, Dritan Leli pastroi plehrat në Pyllin e Sodës

schedule14:50 - 7 Nëntor, 2021

schedule 14:50 - 7 Nëntor, 2021

Nga Vlora kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot sanksione për kryetarët e bashkive që nuk menaxhojnë pastrimin e territorit në bashkitë e tyre. Pas një sërë përplasjesh me kreun e Bashkisë së Vlorë Rama ironizoi sot atë duke e këshilluar të dalë me 5 veta dhe me qese në dorë për të pastruar Pyllin e Sodës.

“Ky është një pyll që kryetari i bashkisë mund ta bëjë me makinë për tre minuta nga hyrja deri në dalje. Këtu nuk ka nevojë as për ushtri. Këtu mjafton kryetari i bashkisë dhe 5 veta të tjerë me një qese në dorë çdo ditë duke u thënë qytetarëve mos na ktheni më këtu, pylli i Sodës do merrte pamje tjetër. Por kjo është temë tjetër”, tha Rama në një video të shpërndarë rreth tre orë në profilin e tij zyrtar.

Por dy orë para kësaj deklarate, pra rreth 5 orë më parë, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka ndarë disa foto me ekipin e tij teksa me qese në duar pastron Pyllin e Sodës.

“Aksionin ndërgjegjësues për të ruajtur mjedisin, jo pa qëllim e bëmë te Pylli i Sodës, për t’ju treguar që edhe pse u angazhuam ta pastrojmë për muaj të tërë dhe t’i rikthejmë ajrin që i kishte munguar, mbeturinat ishin hedhur sërish, gjithandej.

Ka qenë gjithëpërfshirës angazhimi i këtij mëngjesi. Administrata e Bashkisë Vlorë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Ujësjellësi dhe Njësitë Administrative, një ekip prej rreth 1100 punonjësish, e lanë të dielën e familjeve të tyre për t’u treguar të gjithëve se asnjë ditë pushimi nuk do të kishte vlerë në një ambient të ndotur, se askush nuk mund të pushojë mes mbeturinash. Duajeni mjedisin, duajeni veten!”,  shkruan Leli.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!