India është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në botë. Vendi raportoi mbi 3 mijë viktima në 24 orë dhe mbi 300 mijë raste. Sistemet shëndetësore janë në kaos, ndërsa po përballet gjithashtu edhe me mungesë oksigjeni dhe shtretër për të trajtuar pacientët me Covid.
Shumë punonjës shëndetësore po përballen me vështirësi të mëdha por nuk janë të vetmit. Gazetarët që kanë raportuar mbi situatën kritike të Covid në Indi janë përballuar më vështirësi të shumta, disa prej të cilëve kanë humbur jetën.
Korrespondenti i Azisë Jugore për CNN ka folur për katastrofën e Covid që ka prekur jetën e pothuajse të gjithë personave në vend.
Kohët e fundit keni humbur një kolege, Kakoli Bhattacharya nga Covid-19. A mund të na flisni për të dhe punën e rëndësishme që ajo bëri?
Kakoli ishte ndihmëse për marrëdhëniet me shtypin për The Guardian dhe ka punuar për ne që nga viti 2009. Ajo mund të gjente çdo numër ose kontakt që kisha nevojë, duke më ndihmuar me të gjitha sfidat burokratike që mund të paraqiste puna në Indi.
Megjithatë, më shumë se kaq, ajo ishte personi që më priti në Delhi. Ajo e njihte rajonin nga brenda. Raportimi për The Guardian në Indi nuk do të jetë i njëjtë pa të.
Hera e fundi kur ne folëm ishte vjeshta e vitit 2020, kur kriza kishte filluar të përshkallëzohej, por kishte çështje më të mëdha më të cilat vendi po përballej, siç është largimi i punëtorëve emigrantë. Si është tani situata ?
Vala e parë e koronavirusit preku Indinë midis korrikut dhe shtatorit 2020, por deri në nëntor, rastet kishin pësuar rënie.Askush nuk mund ta shpjegonte se pse vendi ishte rimëkëmbur kaq shpejt dhe dukej se po shmangte një valë të dytë.
Shumica mendonin se vendi kishte arritur imunitetin e tufave, dhe kjo injoroi krizat e mëdha që ndodhën më vonë në grupet e emigrantëve dhe faktin që miliona njerëz tashmë vuanin nga varfëria. Xhamitë dhe tempujt u rihapën. Në shkurt, rastet filluan të rriteshin përsëri, fillimisht në Maharashtra dhe më pas në Delhi.
Tani vendi është në krizë, spitalet nuk kanë furnizime me oksigjen, trupat po grumbullohen në krematoriume dhe pothuajse çdo person është prekur nga virusi.

Pse po preken më shumë të rinjtë në krahasim me vendet e tjera?
Varianti B1167 është shumë ngjitës. Në valën e parë, shumica e të rinjve që u infektuan ishin asimptomatike. Ndërsa këtë herë shumë të rinj që janë infektuar kanë humbur jetën.
Kjo ka ndodhur pasi ata kanë vazhduar jetën normalisht edhe pasi janë infektuar. Duke punuar në zyra, duke takuar persona të tjerë. Dhe sigurisht, ata që janë vaksinuar janë kryesisht të moshuarit.
India është prodhuesi kryesor i vaksinave në botë. Si po shpërndahen Covaxin dhe vaksinat e tjera ?
India porositi 15 milion vaksina në janar të këtij viti kur shumë vende të tjera kishin bërë tashmë porositë e tyre. Shumë prej atyre vendeve i kishin porositur vaksinat nga Instituti Serum i Indisë, por duket se kishte mungesa nga ana e qeverisë.
Ekzistojnë dy vaksina të aprovuara – Oxford-AstraZeneca dhe Covaxin, e cila është vaksina e zhvilluar në Indi. Synimi është vaksinimi i 300 milion personave deri në gusht. India ka ndaluar eksportet kështu që askush tjetër nuk është në gjendje të marrë vaksinën indiane, dhe nga e shtuna personat mbi 18 do të ketë të drejtën për t’u vaksinuar por ende nuk dihet nëse do të ketë furnizime.
Si do të ndikojë kjo te kombet e tjera që po mbështeten në Institutin Serum për të marrë furnizimet e vaksinave?
India nuk do të eksportojë vaksina për një periudhë të pacaktuar, dhe ky është një lajm negativ për vendet në zhvillim. Instituti Serum supozohej të ishte një nga kontribuuesit më të mëdhenj në programin Covax, në të cilin mbështeten të gjithë fqinjët e Indisë – si Bangladeshi, Sri Lanka, Butani, Nepali.
Kështu që ndërsa Europa dhe SHBA fillojnë të dalin nga kriza, ne mund të mësojmë shumë prej tyre.
Sa e vështirë ka qenë të raportosh për situatën në Indi?
Pa dyshim, kjo është historia më e vështirë që më është dashur të raportoj gjatë gjithë karrierës time. Unë jam duke raportuar për një tragjedi që jo vetëm më ka prekur mua personalisht, por edhe të gjithë rreth meje.
Dita kur isha në një krematorium, ishte një nga ditët më të vështira për mua. Njerëzit e kanë krahasuar atë me një zonë lufte. India tani është e sulmuar, por kur armiku është i padukshëm dhe fushat e betejës janë spitale, dhe frika është më e madhe.
Çdo ditë zgjohem me frike, duke menduar se njerëz do të kenë vdekur dhe sa prej tyre do të jenë familjet e njerëzve që unë njoh dhe i dua. I jam mirënjohës shumë mjekëve të guximshëm, që pavarësisht se janë të mbingarkuar me punë më telefonojnë pas një turni 24 orësh për të biseduar me mua dhe për të përshkruar atë që po ndodh pas dyerve të spitalit.
Ishin mjekët ata që më paralajmëruan javë më parë se kishte filluar një valë vdekjeprurëse në Indi dhe spitalet po përballeshin me mungesë të oksigjenit, ilaçeve dhe vaksinave.
Cilët janë prekur më shumë?
Punëtorët emigrantë, njerëzit që vuajnë nga varfëria dhe personat që jetojnë në qytete të mëdha. Ka miliona nga këta njerëz, dhe shumë prej tyre janë të pa dokumeta, kështu që askush nuk po sigurohet nëse ata janë mirë.
Çfarë masash duhet të merren që pandemia të jetë nën kontroll?
Ndihma fillimisht ishte e ngadaltë – mendoj se bota u befasua shumë se si India arriti në këtë pikë, ashtu si vetë India. OBSH po dërgon 4,000 përqendrues oksigjeni. Shumë vende nuk kanë shumë vaksina, por SHBA më në fund ka rënë dakord të heqë ndalimin e eksportit të lëndëve të para që janë të dobishme në zhvillimin e vaksinave.
Ky ka qenë një burim konflikti në të kaluarën, por ky është një lajm i mirë pasi Instituti Serum mund të mos jetë në gjendje të rrisë prodhimin për disa muaj të tjerë. Flitet për një bllokim kombëtar, por bllokimet nuk funksionojnë këtu në mënyrën si funksionojnë në perëndim, për shkak të shkallës së varfërisë.
E vetmja gjë që mund të ndihmojë vendin të dalë nga kjo krizë është rritja e prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave.
Cilat janë ndikimet politike të kësaj katastrofe? A ka rënë popullariteti i Modi-t ?
Modi është një kryeministër shumë popullor. Por tani duket sikur njerëzit kanë humbur besimin tek shteti.
Njerëzit po humbasin të afërmit e tyre dhe po kërkojnë dikë që të fajësojnë për fatkeqësitë e tyre. Kjo është hera e parë që shumica kritikojnë qeverinë e Modi – madje është diçka e dukshme në gazetat që tradicionalisht janë mjaft pro-qeveritare.
Po mungesa e transparencës në lidhje me të dhënat ?
Gjatë javëve të fundit është bërë e qartë se qeveria nuk ishte dhe as nuk është treguar transparente me shifrat reale të viktimave. Numrat zyrtarë në asnjë mënyrë nuk përputhen me numrin e trupave që po grumbullohen midis morgjeve të spitalit dhe krematoriumeve – shifra e vërtetë besohet të jetë edhe 10 herë më e lartë.
Gazetarët lokalë qëndrojnë jashtë krematoriumeve dhe po numërojnë vetë trupat. Të dhënat janë ato që na ndihmojnë të kuptojmë dhe luftojmë një krizë, kështu që të gënjesh do të thotë të lëndosh njerëzit dhe të parandalosh burimet e duhura.
Si gazetarë, ne citojmë statistikat zyrtare, por duke marrë parasysh edhe ekspertët numri real është shumë më i lartë. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

