Raporti tronditës: 216,000 fëmijë janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë francezë që nga viti 1950

schedule12:35 - 5 Tetor, 2021

schedule 12:35 - 5 Tetor, 2021

Një hetim mbi abuzimin seksual në kishën katolike franceze ka nxjerrë në pah se rreth 216,000 fëmijë ishin viktima të abuzimit seksual nga priftërinjtë francezë që nga viti 1950. Zbulimet në Francë janë të fundit që tronditën kishën katolike romake pas një sërë skandalesh të abuzimit seksual në të gjithë botën, shpesh duke përfshirë fëmijë, gjatë 20 viteve të fundit, shkruan The Guardian

Raporti është përgatitur nga komisioni i pavarur për abuzimet seksuale në Kishë. Dhe zyrtari më i lartë i këtij institucioni, u shpreh se 3 mijë, mund të jetë një shifër më e vogël se ajo realja. Pra priftërinjtë abuzues mund të jenë dhe më të shumtë në numër. Me pak fjalë, Komisioni nuk ia ka dalë që të zbardhë çdo gjë, por vetëm një pjesë të asaj që shumë priftërinj francezë kanë kryer këto vite.

Ashpërsimi i rregullave mbi kontrollin dhe raportimin është një paradigmë e pontifikateve të fundit, por skandalet vazhdojnë të shfaqen. Sigurisht, kisha është bërë më transparente dhe kjo kontribuon në një farë mënyre që njerëzit të flasin më shumë për pedofilinë dhe abuzimin se sa më parë.

Komisioni u krijua nga peshkopët katolikë në Francë në 2018 për të hedhur dritë mbi abuzimet dhe për të rikthyer besimin e publikut te kisha. Komisioni  ka punuar në mënyrë të pavarur nga kisha. Sauvé tha se problemi ekziston ende. Ai shtoi se kisha deri në vitet 2000 kishte treguar indiferencë ndaj viktimave dhe kishte filluar të ndryshonte qëndrim vetëm në 2015-16.

Jean-Marc Sauvé, kreu i komisionit tha se komisioni kishte identifikuar rreth 2,700 viktima përmes një thirrje për të dëshmuar dhe mijëra të tjerë ishin zbuluar nga arkivat. Por një studim i gjerë nga grupet kërkimore dhe sondazheve vlerësoi se kishte pasur rreth 216,000 viktima dhe numri mund të rritet në 330,000 kur të përfshihet abuzimi nga anëtarët laikë.

Janë rreth 2,900-3,200 pedofilë të dyshuar gjatë 70 viteve të fundit, tha Sauvé.

“Ju jeni një turp për njerëzimin,” tha François Devaux, i cili krijoi shoqatën e viktimave La Parole Libérée, para përfaqësuesve të kishës në prezantimin publik të raportit. Ai gjithashtu, falënderoi komisionin dhe tha se shpresonte që raporti të ishte një pikë kthese./abcnews.al