Zv/ministri i Jashtëm, Sokol Dedja, u shpreh besimplotë këtë të hënë se në raportin e KE-së do të pasqyrohet progresi i Shqipërisë. Ai ishte i ftuar në rubrikën “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, ku tha se bindja për një vlerësim pozitiv vjen nga arritjet që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrave të saj.
Sokol Dedja: Bindja mbi një vlerësim pozitiv vjen nga një dialog i vazhdueshëm që kemi me KE, vjen nga arritjet që ka bërë Shqipëria me plotësimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave të anëtarësimit. KE e ka bërë vjet një vlerësim mbi arritjet e Shqipërisë në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe. Këshilli i Ministrave të Evropës, Këshilli Evropian e mirëpritën atë që edhe ata e quajtën progres të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe mbi bazën e këtij vlerësimi përcaktuan rrugën për hapjen e negociatave në Qershorin e këtij viti. Nënvizohet gjithnjë nevoja për progres.
Mirela Milori: Ju jeni besimplotë që është bërë ky progres dhe do të pasqyrohet në raportin e dy ditëve më pas?
Sokol Dedja: Po! Përgjigja e shkurtër është po. Besimplotë që është bërë progresi dhe besimplotë që kjo do çojë në rekomandimin përkatës.
Për sa i përket situatës aktuale politike dhe nëse ajo do pasqyrohet në raportin e KE-së, Dedja tha se Komisioni do të japë vlerësimin e saj pasi funksionimi i dialogut politik është i rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit.
“Kushtet që lidhen me hapjen e negociatave janë 5 prioritetet për të cilat që vjet u tha që është bërë progres i qëndrueshëm. Vëmendja vjet u veçua te Reforma në Drejtësi. Patjetër komisioni do japë vlerësimin e vet dhe mbi situatën politike dhe mbi dialogun politik, mbi funksionimin e parlamentit.. Funksionimi i dialogut politik është shumë i rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të procesit e integrimit”, tha Dedja.
Mirëpo Evropa i është nënshtruar zgjedhjeve dhe për pasojë pritet të rikonfigurohet Parlamenti Evropian. Dedja e konsideroi këtë atmosferës si të vështirë dhe sfiduese për marrjen e vendimit në lidhje me çeljen e negociatave. Megjithatë sipas tij këto janë faktorë që nuk varen nga Shqipëria./abcnews.al