Raporti i EUROPOL për grupet kriminale, Artan Hoxha: Pse po ekspozohen shqiptarët

schedule14:23 - 21 Shtator, 2021

schedule 14:23 - 21 Shtator, 2021

Prej disa vitesh grupet shqipfolëse të trafikut të kokainës po zhvillojnë aktivitet shumë të madh në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë. Ky është përfundimi që ka arritur EUROPOL në një raport prej 27 faqesh të publikuar së fundmi. Sipas Europol, në periudhën 2018 – 2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Europë në aksione ku është kapur kokainë.

I ftuar në “ABC Live”, gazetari investigativ, Artan Hoxha ka dhënë edhe disa detaje të krimit të organizuar shqiptar që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Europë dhe më gjerë. Gjëja më shqetësuese sipas Hoxhës që ka alarmuar strukturat ndërkombëtare për goditjen e krimit, është fakti i hapave të shpejtë që po rritet krimi i organizuar shqiptar. Hoxha ka thënë se janë dy segmente të krimit të organizuar shqiptar ai që operon në BE dhe krimi i organizuar që zhvillon aktivitetin ilegal në Shqipëri.

Gazetari Hoxha ka theksuar se një tjetër arsye se pse po shihen me kaq shqetësim grupet shqiptare të krimit të organizuar është se ata janë prezent që tek burimi i lëndëve të forta narkotike. Pra shqiptarët kanë krijuar rrjetin e tyre të trafikimit të kokainës duke qenë prezent nga vendi i origjinës në Amerikën Latine e deri në mbërritjen e më pas shpërndarjen e drogës nëpër Europë.

“ Është shqetësueses se Shqipëria është vend i vogël. Dhe numri i madh i shqiptarëve të arrestuar për trafik narkotikësh është shqetësues. Shumë të rinj shqiptarë janë arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike si pjesë e grupeve të krimit të organizuar. Grupet shqiptare po tërheqin kaq shumë vëmendje sepse po bëhen prezent në vendet e burimit. Pra, po përpiqen të kalojnë tek tregtia me shumicë, se duan të jenë dora e parë. Kanë provuar se janë prezent në linja të hetuar që e lëvizin nga Amerika Latine dhe e sjellin ne Europë.” tha mes të tjerash Hoxha.

Megjithatë Hoxha ka theksuar se grupet shqiptare të krimit të organizuar nuk janë ende në nivele e grupeve serbe apo “Ndrangheta-s”. Sipas tij problemi që shqiptarët shfaqen më shumë se grupet e tjera kriminale është se ata nuk ruhen aq shumë. Sipas Hoxhës, në grupe të tjera përpiqen që të mos kryejnë vrasje apo konflikte të kota, për të mos u ekspozuar, ndërsa tek grupet shqiptare ndodh e kundërta.

“Shqiptarët nuk janë ende në nivelin e Ndranghet-ës dhe grupet e krimit të organizuar serb. Se janë shumë herë më përpara. Por tek raporti i Europol, ka disa karakteristika të grupeve shqiptare, që grupet e tjera nuk i kanë dhe nuk i përdorin. Se dalin të ekspozuara. Organizatat mafioze mundohen të mos bie në vëmendje dhe të mos bëjnë vrasje kot. Por ne bëjmë të kundërtën. Grupi “Hellbanianz” në Angli. A thua se janë më të mëdhenjtë, por jo por vetëm sa tërhoqën vëmendjen e mediave. Ne nuk mund të jemi sa Ndrangheta dhe nuk mund të zëmë vendin e Marokut si urë lidhëse. Ne jemi bërë shqetësues se për një kohë të shkurtër, kemi ecur me hapa galopantë. Njerëz që i shihnim në rrugë i shohim sot me krimin e organizuar të importit të drogës nga Amerika Latine.” tha Hoxha.

“Kemi shqiptarë që janë vrarë atje në Ekuador apo vende të tjera. Jemi bërë shqetësues. Se kur kemi kapur 1 ton në vendin tonë, imagjino se si ka shkuar situata. Ajo ka hyrë në territor dhe prandaj policia kaq lehtësisht kap grupe por nuk po godet dot trurin. Se buxheti është shumë i madh.” tha Hoxha. /abcnews.al/