Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka këtë të mërkurë në një deklaratë për mediat nga selia blu ka reaguar në lidhje me raportin e DASH.
Noka në fjalën e tij është shprehur se ka ardhur koha që të bëhen të gjithë bashkë për ti dhënë fund qeverisë së korruptuar.
“Qeveria e Edi Ramës përbën rrezik real për të drejtat e shqiptarëve, përmes presionit mbi drejtësinë dhe mediat e blerjet e votës. Ky është rezultat pas skanimit që DASH i ka bërë situatës së Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Ajo vërtetoi të gjitha shqetësimet dhe akuzat që PD dhe opozita ka ngritur gjatë kësaj qeverisje. A ishin të lirë shqiptarët të zgjidhnin ato që donon? DASH thotë jo, sepse është deformuar vullneti nga një qeveri që bleu votat dhe duke përdorur sistemin e patronazhistëve.
A është sistemi i drejtësisë i pavarur? Raporti i DASH thotë jo. Presioni politik, burimet e kufizuara dhe korrupsioni e kanë penguar gjyqësorin që të funksionojë lirshmërisht. Shqiptarët e dinë se ka një emër që është në krye të pengmarrësve që është Edi Rama. I cili në kongresin e PD-së e urdhëroi SPAK se kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm. PD-ja ka votuar për një sistem të lirë të drejtësisë, por a është kjo qeveri e korruptuar raporti i DASH thotë po, kjo është një këmbanë alarmi për shqiptarët. Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë dhe të shkurtojmë jetën kësaj qeverie të korruptuar”, ka thënë Noka.
Ndër të tjera ai ka komentuar edhe mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ku thekson se Alibeaj nuk ka lidhje me bashkimin e demokratëve ai vijon misionin e Ramës dhe të Bashës për përçarjen.
“Pas 6 marsit e gjithë Opozita e ka thënë, bashkimi është qëllimi dhe misioni ynë. Ju edhe mbrëmë e konstatuat, Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me këtë bashkim, vazhdon të përkushtohet lojës së Ramës dhe të Bashës në përçarjen e PD-së. Alibeaj nuk e ka mision atë që kanë demokratët që të dalin më të bashkuar për tu përballur regjimin. U kërkua që të tërhiqte padinë pasi ai nuk mund të flasë në emër të Partisë Demokratike”, është shprehur ai./abcnews.al