Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, të cilat janë ndër trafikanët kryesorë të kokainës në Evropë, po konsolidojnë praninë e tyre në Afrikën Perëndimore, duke e shndërruar rajonin në një hallkë gjithnjë e më të rëndësishme të itinerarit të kontrabandës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian, thuhet në një raport të ri.
Kërkesa në rritje për kokainë në Evropë, së bashku me shtimin e kontrolleve në rrugët direkte nga Amerika Latine dhe zgjerimi i konsiderueshëm i porteve detare në Afrikën Perëndimore, ka shtyrë kontrabandistët prej disa vitesh të rrisin trafikun përmes Senegalit, Sierra Leones, Gambias, Guinea-Bisaut dhe Kepit të Gjelbër.
Por, ndikimi i rrjeteve shqiptare dhe atyre sllavishtfolëse në rajon deri më tani është kuptuar pak, shkruan REL.
Hulumtuesit e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), në raportin e publikuar të martën, thanë se këto grupe janë rritur dukshëm në rëndësi globale dhe tashmë janë mes rrjeteve më të mëdha kriminale në tregtinë e kokainës në Evropë.
Ato kanë shfrytëzuar aleancat në rajon me grupe kriminale holandeze dhe sidomos me organizatën braziliane Primeiro Comando da Capital (PCC), për të thelluar kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit.
“Aleanca mes grupeve nga Ballkani Perëndimor dhe PCC-së është ndoshta partneriteti më i rëndësishëm aktualisht për futjen e kokainës në Evropë”, tha Sasha Gjirgjeviq, një nga autorët dhe analist i lartë në GI-TOC.
Raporti, pjesërisht i mbështetur nga qeveria britanike, thekson se nevojitet më shumë bashkëpunim ndërkontinental mes agjencive të rendit, autoriteteve portuale dhe aktorëve të tjerë për të luftuar këto rrugë gjithnjë e më të zgjeruara të drogës.


