Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se zgjedhjet e 6 tetorit në vend ishin demokratike dhe se tashmë partia e tij është në opozitë. Ai theksoi se subjekti i tij politik nuk do të kërkojë rinumërim votash.
Jemi pjesë e opozitës. Me këtë deklaratë lideri I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Haradinaj, i vlerësoi si demokratike zgjedhjet e 6 tetorit në vend.
“U jemi falënderues dhe do t’i jemi besnik votuesve. AAK e ka marr rezultatin zgjedhor siç jemi njoftuar nga KQZ, nuk kërkojmë rinumërim nuk e kundërshtojmë rezultatin zgjedhor. Nëse ndonjë kandidat ka vërejte ka të drejtën të kërkojë rinumërim, por ne si parti nuk kërkojmë pasi mendojmë se është e padrejtë me dëmtu të dëmtohet një proces kaq i mirë dhe i madh i demokracisë tonë”.
Haradinaj tha se nuk do të hiqte dorë nga temat që kishte ndjekur qeveria e tij dhe uroi partitë fituese duke shtuar se populli mund të zhgënjehej nga qeveria e Albin Kurtit.
“Ne vazhdojmë t’i jemi besnik temave të listuara dhe nuk do të bëjmë kompromis me askënd, si opozitë do të kontribuojmë në secilën temë veç e veç. Ju e dini se nuk dua të prishi vendimin e sovranit, ne e respektojmë atë. Ndërsa e dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes, për fat të keq mendoj se nuk është ajo që është premtu. Ekziston mundësia reale e zhgënjimit pikërisht nga votuesit, pra shpresoj që të jem gabim, por ne nuk kemi pozicion për individ, por kemi pozicion për temat. Nëse kushdo që i shkel këto tema do të na ketë aty si opozitë”.
Lideri i AAK-së tha se nuk beson se koalicioni me PSD-në e ka dëmtuar partinë e tij.
“Nuk besoj që PSD na ka dëmtu, edhe kur s’ka sukses zakonisht lypet fajtor. Ne duhet t’i artikulojmë më mirë temat, pikëpamjet. Mendoj se partneriteti me PSD-në ka qenë vlerë e shtuar”.
Në fund ai bëri një apel për qeverinë e re.
“Unë i lus me e lënë taksën dhe reciprocitetin deri në njohje. Le ta vendosin reciprocitetin pa e nguc taksën. Ne do të bashkëpunojmë edhe me pozitën dhe opozitën kur kanë qëndrim t drejtë n temë, e nuk e lidhin me emër të partisë apo me rol. Kushdo që punon në interes të temave nacionale do ta ketë përkrahjen tonë. Kushdo që nuk bashkëpunon mund të kemi dallime në tema, ia atribuoj këtë PDK-së, kërcënimin me e nda Kosovën dhe mendoj se pengesa kryesore kam qenë unë. Kemi pagu çmimin që kemi pagu, por nuk ua lejuam ta ndajnë Kosovën”. /ABC News Albania 24/7