Ramën e rrezikojnë çmimet, jo protestat e opozitës me asteriks

schedule12:33 - 27 Qershor, 2022

schedule 12:33 - 27 Qershor, 2022

Nga Skënder Minxhozi

Basti i radhës është ky: a do të mbledhë më shumë njerëz në shesh Sali Berisha i sotëm, sesa Lulzim Basha i djeshëm?!  A peshon më tepër Partia Demokratike e dalë nga Rithemelimi, se PD e nëntë viteve të fundit, kur Basha mblidhte protestues në shesh, me Berishën, Kryemadhin dhe një dyzinë kryetarësh e VIP-ash të tjerë të opozitës në rreshtin e parë të foltores?!

Sali Berisha ka njoftuar një protestë kombëtare në 7 korrik në Tiranë, në një lloj inaugurimi të linjës së tij të re kundër qeverisë dhe në pritje që kuadratit t’i bashkohet pas njëzet ditësh edhe Ilir Meta që po mbledh orenditë e zyrës në Presidencë. Kjo e 7 korrikut është një sfidë që Berisha i bën të gjitha manualeve të protestave në Shqipëri, ku sezoni veror, vapa dhe pushuesit e shumtë plazheve, janë një kundër-indikacion i pastër për aktivitete politike. Përgjithësisht të menduarit politikisht venitet gjatë verës, kur opozitarë e votues të qeverisë miksohen nëpër plazhe me kostume banjoje. Por Berisha kërkon të hapë ciklin e tij të tretë politik në krye të PD, me një akt publik dhe të zhurmshëm. Dhe ku ka më të zhurmshme se një protestë para dritareve të Edi Ramës?!

Nëse në planin taktik idea e Berishës është normale dhe e kuptueshme, në realitetin përvëlues të verës shqiptare një ide e tillë ka më shumë sesa një risk brenda. Nuk janë të paktë këto orë deputetët dhe zyrtarët e PD të cilët privatish ngrenë supet kur i pyet sesi e ka menduar Doktori fabulën e 7 korrikut. Përtej frazeologjive hipokrite me primare, udhëheqje kolektive e respektim të mendimit alternativ brenda strukturave të partisë, Sali Berisha po bën edhe një herë të vetmen gjë që të di të bëjë: të vendosë e të vulosë ai vetë, pa asnjë sufler pas vetes!

Kështu e ka vendosur edhe shtatë korrikun, i bindur në instiktin dhe nuhatjen e tij, por edhe në vetëbesimin se është një organizëm politik i pashkatërrueshëm, inoksidabël dhe që nuk pyet as për vitet e as për konsumin e vet si lider politik.

Një përgjigje indirekte se cili mund të jetë rezutati i protestës së 7 korrikut, duket se e jep sondazhi i fundit i Eduart Zaloshnjës, në lidhje me pëlqyeshmërinë e liderëve politikë në momentin aktual. Mes Ramës dhe pjesës gri, Sali Berisha merr vetëm 27% të mbështetjes së personave të pyetur. Një përqindje që duket se përkon me të gjitha ato që janë pritshmëritë numerike të PD se Rithemelimit, pas ikjes së grupimit të Bashës dhe rrudhjes së buzëve të elektoratit gri, gjithnjë skeptik dhe të pakënaqur me rikthimin e përjetshëm të “kostumeve të vjetra” të politikës shqiptare.

E parë në këtë prizëm, protesta e 7 korrikut ka më shumë se një të panjohur brenda. E planifikuar si një gjest emocional, më shumë sesa si një lëvizje gjakftohtë dhe e bazuar mbi logjikë, kërcimi i Doktorit në meidanin e protestave mund të sjellë një impuls për opozitën nëse sheshi mbushet e Rama frikësohet, por mund të shënojë edhe një reagim të tipit “edhe ky si Luli…”, në rast se protestuesit e sjellë me autobusa do të jenë veçse një njollë e vogël në bulevard (dronët dhe Google s’të falin në këto raste).

Berisha ka zgjedhur të dalë në shesh pa Ilir Metën. Një akt nxitimi që duket se kërkon të afirmojë rolin drejtues të PD në opozitën e shtatorit. Pa Metën në shesh, Berisha do t’i llogarisë si të tijët pjesëmarrësit, e jo si “popullin e 2 marsit” që presidenti/kryetar i LSI,  thotë se  është garda e tij pretoriane!

Doktori i bën shumë mirë llogaritë e Edi Ramës, por duket se harron disi llogaritë e veta. Në parim momenti aktual është tejet i vështirë për qeverinë. Kriza e çmimeve ka futur në mendime të thella çdo shqiptar, tabelat e çmimeve të pikave të karburantit që duken më shumë mure pushkatimi për cilindo që ka një makinë.

Por kjo është llogaria e Ramës, jo e opozitës. Sepse ka dhe një të tillë për t’u bërë. A është PD e sotme mbartëse e besueshme e pakënaqësisë popullore për krizën, çmimet, korrupsionin dhe të këqiat e tjera të lidhura me qeverisjen?! Vështirë të thuash se po. Nëntë vjet ngjyrë rozë janë aty, me pluset dhe minuset e tyre, por pala përballë nuk vjen e virgjër dhe pa rekorde në këtë përballje.

Edi Ramën e rrezikojnë çmimet, konsumimi politik, korrupsioni i administratës dhe kriza, jo opozita aktuale e drejtuar nga politikanë me asteriks në fund të rreshtit. Berisha dhe Meta nuk janë varfanjakët që dolën nga hiçi për të sjellë një përmbysje politike dhe morale në këtë vend. Ata janë pjesa më e vjetër e sistemit dhe si të tillë do dalin në shesh edhe në 7 korrik. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh, para se të llogariten në ajër mijërat e militantëve dhe qytetarëve të thjeshtë që do t’i përgjigjen thirrjes së Doktorit në piskun e vapës së korrikut, për të rrëzuar “Edvinin e zi”. Sepse në këtë vend të vogël dhe të ngratë ka shumë “të zinj”, e pak “të bardhë”!