Ramazani në kohë karantine, për shqiptarët ringjall kujtimet e komunizmit

schedule15:07 - 25 Prill, 2020

schedule 15:07 - 25 Prill, 2020

Të izoluar në banesën e tyre në Tiranë për shkak të koronavirusit, 81-vjeçari Osman Hoxha dhe familja e tij  kanë nisur agjërimin e muajit të shenjtë të  Ramazanit duke kujtuar kohën komuniste ku praktikimi i fesë nënkuptonte rrezik me vdekje, shkruan AFP.

Si shumë vende të botës, xhamitë në Shqipëri ku shumica është myslimane janë të zbrazëta ndërsa tavolinat e darkës së iftarit kanë më pak karrige se çdo herë tjetër  pasi familjet janë izoluar  për të frenuar përhapjen e virusit.

Për gjeneratat e vjetra, vakte të tilla të vogla  intime ngjallin kujtime se si u detyruan ta mbanin me forcë besimin e tyre nën udhëheqjen e gjatë dhe brutal të diktatorit të ndjerë komunist, Enver Hoxha.

“Duhej të luteshim prapa mureve të shtëpive tona nga frika se mos përfundonim  në burg ose dënoheshim me vdekje”, kujton Osmani, i veshur me një kapele të zezë dhe jelek gri, pas ditës së parë të agjërimit në shtëpinë e tij në Tiranë.

Dekada më vonë, vendi po përballet me një lloj tjetër armiku.

“Gjatë komunizmit duhej të mbanim agjërimin në mënyrë të fshehtë sepse nëse dikush do të na shihte kjo mund të na kushtonte jetën , ndërsa sot rrezikojmë vdekjen nga një virus që mund të na vrasë”, thotë gruaja e Osmanit, Miniria, 74 vjeç.

Diktatori Enver Hoxha, përdori  moton e njejtë Marksiste që feja ishte “opiumi i popullit” dhe shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë në vitin 1967.

Nën udhëheqjen e tij 40-vjeçare, qindra xhami dhe kisha u shkatërruan, dhjetëra priftërinj dhe klerikë myslimanë u dënuan me punë të  detyruar dhe shumë të tjerë vdiqën në burg ose u vranë nga skuadra e pushkatimit.

Në total, rreth 6.000 njerëz u ekzekutuan nga regjimi paranojak për krime të supozuara që shkonin nga tradhti deri në udhëtimet e huaja ose thjesht praktikimi i një feje.

Dhjetëra mijëra të tjerë u dërguan në burgje ose kampe për punë të detyruar ose internim.

Midis tyre ishte edhe Osmani.

Si i ri në vitet 1960, ai u detyrua të punojë në një gurore pasi vëllai i tij u largua nga vendi, duke sjellë dyshime për pjesën tjetër të të afërmve të tij.

Por familja sidoqoftë e ushqeu besimin e tyre, duke praktikuar fenë islame  në fshehtësi derisa xhamitë u hapën në 1990, pak para se të rrëzohej komunizmi.

Vendi ka parë që atëherë një ringjallje fetare. Më shumë se gjysma e popullatës 2.8 milion praktikojnë fenë muslimane ndërsa rreth 30 përqind janë të krishterë katolikë dhe ortodoksë.

Në dekadat e fundit, familja e Osmanit ka  festuar vaktin e iftarit me rreth 20 vetë në tryezën e tyre të darkës.

Këtë vit ata janë vetëm  shtatë, mes tyre gjyshërit, djali i tyre Agron, gruaja dhe fëmijët e tij.

“Shpresoja që kjo tryezë të ishte e madhe dhe që shtëpia ime të ishte e mbushur me miq dhe të afërm,” tha Minire ndërsa përgatiti darkën me nusen e saj Rezarta.

“Agjërimi kur jeni në shtëpi është më i vështirë sepse gjithçka që ju mendoni se është të hani”, shtoi ajo me një buzëqeshje, duke  përgatitur pjatat e orizit, mishit, sallatrave, perimeve të pjekura dhe hurmave.

Pas iftarit, Osman së bashku me djalin e tij dhe dy nipërit, të moshës 11 dhe 13 vjeç, shkuan për tu lutur  në dhomën e ndenjes.

Tani në demokraci, Shqipëria ka ndjekur të njejtën rrugë si pjesa më e  madhe e botës për të ndaluar përhapjen e virusit i cili ka marrë gati 30 jetë.

Sidoqoftë, teknologjitë e reja po lehtësojnë për të përballuar vetminë.

Përpara vaktit të tyre, familja Osman nxori celularët për të folur me të afërmit e tyre  me video.

“Falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale, praktikisht jemi më afër se kurrë me miqtë tanë,” tha Agroni.

Nëna e tij shtoi: “Gjëja e rëndësishme është të jesh mirë me shëndet sepse në këtë mënyrë  ne ende mund të respektojmë të gjitha ritet dhe praktikat fetare në familje”./abcnews.al