“Ramaforma”, Meta: Timonieri ynë ka timon, por s’ka frena

schedule10:35 - 3 Korrik, 2019

schedule 10:35 - 3 Korrik, 2019

Reforma apo Ramaforma? Kjo është çështja sipas Presidentit të Republikës që e ka nisur mëngjesin e së mërkurës me shpjegimin se çfarë është “Ramaforma”.

 “Përgjigje e thjeshtë: Zbatimi ”krijues” i Reformës. Timonieri ynë ka timon por s’ka frena, dhe si i tillë shquhet për “krijimtari” të papërmbajtshme.”
Me ironi shkruan Presidenti në Facebook se meqeëse pas pak ditësh nisin festimet për 3-vjetorin e miratimit të saj me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtura, vendos të sqarojë çka ndodhur me kryereformën në drejtësi.

“Shumë misione ekspertësh ndërkombëtarë u angazhuan dy vite para miratimit të saj në Kuvend dhe shumë programe financimi vazhdojnë edhe sot. Por baza e konsensusit të arritur ishin vetëm rekomandimet e Komisionit të Venecias, që është institucioni më prestigjioz në Europë dhe i pranuar nga të gjitha palët, brenda vendit por dhe nga partnerët ndërkombëtarë” shkruan presidenti Ilir Meta.

“Profesionalizmi dhe paanësia e tyre garantoi konsensusin historik me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtshme. Pra Reforma në Drejtësi u bazua te Komisioni i Venecias.”

Pasi shpjegon reformën në drejtësi sqarimin e tij e vazhdon për atë që e quan “Ramaformë”.

“Po Ramaforma ku bazohet?!!

Përsëri frymëzimi buron nga Venecia, por jo nga Komisioni, por nga Bienalja e Venecias.

Pse? Sepse timonieri ynë është vetëm Artist.

Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi, pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit.”

Presidenti Meta njofton se në vazhdim do të fillojë me sqarimin e momentit historik të ndryshimit cilësor nga Reformë në Ramaformë.

 “Ky do të jetë një cikël i gjatë, shpjegues dhe çtensionues.

Pasi të përfundojmë me Ramaformën në Drejtësi, do vijojmë me Ramaformat në të gjitha fushat e jetës.

Faleminderit për durimin tuaj!”/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!