Ramadani: Keqardhje si e pësuam golin e parë, kjo humbje na rëndon

schedule16:39 - 19 Dhjetor, 2021

schedule 16:39 - 19 Dhjetor, 2021

Zekirija Ramadani nuk ka mundur të ndryshojë dot gjë tek Egnatia, që pësoi humbjen e katërt radhazi në krye të ekipit. Pas disfatës së sotme me Laçin, trajneri nga Shkupi në emisionin “Gol pas goli” në Supersport u shpreh:

“Humbja na mërzit, por më vjen keq si pësuam golin e parë. Tre ndeshje radhazi që pësojmë në këtë formë, edhe pse kishim punuar në këtë aspekt. Ose nuk kemi punuar mirë, ose mungesë përqendrimi dhe përgjegjësie. Në lojë ishim më mirë, u mundëm nga një ekip më i mirë teknikisht dhe fizikisht.

Kjo ka qenë paraqitja më e mirë që kur kam qenë këtu. Kjo humbje rëndon gjendjen psikologjike, por nuk duhet të na vijë keq se ata ishin më mirë se ne. Goli i dytë më pas erdhi se ramë moralisht. Mendonim se pika e fortë do të ishte shpejtësia e sulmuesve, por nuk arritëm. Për të marrë pikë duhet të japim më tepër se sot:.

Sot kemi qenë më të kujdesshëm, Golin e parë e pësuam nga goditja standarte dhe kemi qenë më të rrezikshëm në sulm. Pësuam në momentin më të mirë dhe kishim disa gjysmë raste, më pas erdhi ndëshkimi.

Gjatë javës flasim me lojtarët dhe shohim momentet e mira, që të motivojmë ekipin. Gjithsesi këto humbje ndikojnë shumë dhe një rezultat pozitiv do na kishte ndihmuar. Edhe një pikë do ishte e mirëseardhur”, tha Ramadani. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!