Egnatia mposhti pastër 3-0 Vllazninë në “Egnatia Arena”, duke siguruar kështu një 3 pikësh shumë të rëndësishëm për mbijetesën.
Augustro Pedro ishte lojtari kryesore i këtij takimi i cili arriti të shënonte tripletën personale, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore shumë të rëndësishme.
Pas ndeshjes trajneri Zekirija Ramadani u shfaq i lumtur, teksa theksoi se gara është duke u bërë shumë e fortë, por shpreson që skuadra e tij të bëjë diferencën.
Fitorja: “E prisnim një fitore sepse në dy ndeshjet e fundit morëm vetëm nga një pikë, si ajo ndaj Partizanit. Sot ekipi ishte më i disiplinuar. E dinim që ndeshja me Vllazninë ishte e paparashikuar, megjithatë dolëm mirë. Po të kishim dyfishuar në pjesën e parë do e kishim më të lehtë, megjithatë në pjesën e dytë dolëm te vetja.”
Pushimi i kampionatit: “Duhet të jemi real, nuk jemi ekip shumë i madh që të marrim ndeshje pa humbje në vazhdim. Por mendoj se pushimi është i nevojshëm pasi ndjehet shumë lodhja dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë pushim dhe të rikuperohemi.”
A ishte përgatitur prej kohësh një ndeshje e tillë? “Padyshim që e kishim përgatitur ndeshjen të tillë. Unë mendoj se nuk arritëm t’i ndëshkojmë me aq hapësira sa kishim, në pjesën e parë mund të kishim realizuar dy gola.”
Pedro dhe gara: “Pedro ka edhe dy sezone të tjera kontratë, nëse vjen një ofertë e mirë pastaj është çështje e politikës së klubit, nuk vendos unë. Ndërsa sa i përket rezultateve të skuadrave të fundit në renditje, mendoj se kjo e bën më interesante këtë garë.”
Ndeshja me Dinamon: “Kur ndërrohet trajneri është një thikë me dy kahe, ndonjëherë del mirë e ndonjëherë jo. Megjithatë shpresoj që kjo që I ndodhi sot homologut tim të Vllaznisë, t’i ndodhë javën e ardhshme edhe atij të Dinamos.” /f.a/abcnews.al