Rama: Zgjedhjet legjitime, dora jonë e shtrirë për reformë zgjedhore me opozitën

schedule11:31 - 5 Shtator, 2019

schedule 11:31 - 5 Shtator, 2019

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi raportin e OSBE ODIHRit për 30 qershorin, duke nënvizuar se zgjedhjet u certifikuan. Por kryeministri pranon problemet e evidentuara, dhe i bën thirrje opozitës të hapin një faqe të re dialogu e bashkëpunimi të shpejtë për reformën zgjedhore dhe vitin 2021.

Në reagimin e tij të parë për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nënvizon se procesi u çertifikua.

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”

Duke pranuar rekomandimet e raportit, kryeministri e kërkon bashkëpunim të shpejtë për një reformë zgjedhore konsensuale, por zgjedhjet e ardhshme për Edi Ramën, janë në 2021-shin.

“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”.

Një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan i la detyrë Kuvendit të mbyllë brenda vitit reformën zgjedhore, bashkë me opozitën, kryeministri Rama thotë se koha nuk pret për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.

“Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë”.

Komisionit për Reformën zgjedhore i mbaron afati në 28 nëntor, ndërsa krahas bashkëdrejtimit nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, Kuvendi ka lënë një karrige bosh për një përfaqësues nga Partia Demokratike me të drejtë vetoje për 135do vendim. /ABC News Albania 24/7