Rama: Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk shtyhen, gati për dialog

schedule15:00 - 14 Maj, 2019

schedule 15:00 - 14 Maj, 2019

Në një bashkëbisedim me gazetarët për gati 90 minuta, Kryeministri Rama përsëriti qëndrimin e tij se zgjedhjet nuk do të shtyhen përtej 30 Qershorit. Ai u deklarua i hapur për dialog me opozitën, por pa negociuar datën e zgjedhjeve. Shefi i qeverisë i quajti protestat e opozitës, xhiro ne boshllëkun e dëshpërimit.

“Mua nuk më impresionon faktit që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, sepse goditjet e djeshme përsëri rrezikuan jetën e uniformave blu, krijuan disa plagë për disa prej tyre dhe e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim dhe krijoi jo pak ankth për banorët në gjithë trajektoren e marshimit absurd.

Dhe këtu vlen të përsëritet se as me qëndrime as me marshime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria dhe aq më pak bombat molotov janë një program qeverisës apo një alternativë qeverisëse, por përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe familjare të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend. Para se të vija këtu po diskutoja me një grup të operatorëve të turizmit, shumë të shqetësuar. Për faktin se pas përhapjes së atyre imazheve menjëherë ka anulime të rezervimeve në hotelet e vendit. Pra ka rënie të potencialit ekonomik.

Ky përbën një shqetësim real sot, fakti që këto manifestime jo vetëm që nuk sjellin asgjë të mirë, por u bëjnë keq Shqipërisë dhe shqiptarëve. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans të preket nga gjithë kjo, është qeveria dhe shumica qeverisëse. Gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq. 

Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë as për hokandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për tu ulur dhe për të dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur nuk kishte kapsolla dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka më shumë se asnjëherë nevojë për dialog, sepse nuk ja kanë borxh shqiptarët politikanëve që në vend të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë, ose të pushojnë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD-së dhe të përballojnë zhurma që as për Vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin. Për sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm, jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve, që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për t’i përfaqësuar.

E dyta, në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë se për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30-ën. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë”, tha Rama.

 /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!