Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministri i vendit Edi Rama nuk iu shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e Qershorit dhe krizës politike në vend.
Kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet do të mbahen më 30 Qershor dhe se kush merr pjesë kjo është zgjedhje e gjithsecilit.
“Zgjedhjet do mbahen më 30 Qershor dhe do zgjidhen 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiak. Kjo është pak por e sigurt. Se kush merr pjesë se kush jo në zgjedhje, kjo është zgjedhje e lirë e gjithsecilit. Qytetarët do të votojnë më 30 Qershor për zgjedhjet vendore.
Nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Natyrisht jo se çka ka ndodhur nuk është shqetësuese, por sepse çfarë ka ndodhur i tejkalon të gjitha kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja e kornizës demokratike të bashkëjetesës. Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga ligji. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar afatgjatë dhe nuk funksionuan. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem, qëndron, kush nuk qëndron ka zgjedhjen e lirë, ama nuk ka shans të pengojë të tjerët në sistem”, tha Rama.
Ndërkohë Mogherini theksoi se nuk do të jetë negociatore e dy partive politike për zgjidhjen e krizës aktuale në vend.
“Unë asnjëherë nuk promovoj apo hyj në negociata apo ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE-së është që të ketë marrëdhënie me institucionet qeveri, presidenti, të gjithë. Ky është roli të cilin unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë negociata apo ndërmjetësime në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kam bërë këtë kurrë as në vendet e tjera”, tha Mogherini./abcnews.al