Rama zbulon synimet në Berlin: Përveç energjisë dhe turizmit, do të bëjmë maksimumin që të kemi një rritje në aspektin digjital

schedule13:40 - 29 Shtator, 2023

schedule 13:40 - 29 Shtator, 2023

Kryeministri Edi Rama në Berlin, i ftuar për njërin prej bashkëbisedimeve në forumin e ri ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue” ka folur edhe për ekonominë e Shqipërisë, e cila sipas tij do të eci mirë.

Ai ka theksuat se shumë shpejt në Tiranë do të mbahet Samiti i Berlinit, ku presidentja Von der Leyen ka një plan të ri rritjeje për rajonin që do të përfshijë disa mekanizma shtesë financiarë.

Sakaq, Rama ka theksuar se përveç energjisë dhe turizmit, prioritet do t’i jepet dhe teknologjisë digjitale në Shqipëri.

Dëgjoni, nga përvoja ime kam mësuar që ekonomia asnjëherë nuk ecën mirë. Mund të jetë më mirë ose më keq. Kur thua që ekonomia po ecën mirë, njerëzit do të fillojnë të urrejnë. Ekonomitë mund të ecin më mirë, mund të ecin shumë më mirë dhe ne do të bëjmë gjithçka që të ecë më mirë, por ajo çfarë ne kuptojmë shumë tani dhe e shohim me një farë kënaqësie që po realizohet edhe në nivel të Bashkimit Europian, është që ky proces integrimi, i cili sa i takon formalizmit të anëtarësimit mund të marrë gjithë kohën e nevojshme me të gjitha traumat që hasim rrugës, nuk mund të jetë një proces që për vendet kandidate të jetë gjithçka ose asgjë. Ose merr gjithçka kur je anëtar, ose nuk merr asgjë derisa të bëhesh anëtar.

Duhen hapur hapësira të reja për vendet kandidate dhe po luftojmë për këtë dhe tani, për pak javë do të mbajmë samitin e parë të Procesit të Berlinit, jashtë Bashkimit Europian, në Tiranë dhe presim me padurim të dëgjojmë deklarimin, shpalljen e presidentes Von der Leyen për një plan të ri rritjeje për rajonin që do të përfshijë disa mekanizma shtesë, financiare dhe po ashtu mekanizma që sigurojnë një qasje më të madhe në tregun e përbashkët që do të ndihmojnë ekonomitë tona që të ecin më mirë. Duke e njohur mirë së paku vendin tim, më duhet të them që këtë duhet të bëjmë, ekonomi që ecën më mirë. Që ecin mirë, asnjëherë nuk do të jetë mirë, asnjëri nuk e pranon një ekonomi që thjeshtë ecën mirë, po më mirë po. Në këtë kuptim, kemi një rritje mjaft të fortë të turizmit, siç e përmendët, kemi të gjithë optimizmin e nevojshëm për të pritur një rritje të fortë, edhe në fushën e energjisë dhe sigurisht do të bëjmë maksimumin që të kemi një rritje të madhe në aspektin digjital, sepse në këndvështrimin tim teknologjia e re është bekim për vendet në zhvillim. Sepse të jep një mundësi që ndodh një herë në jetë për të bërë kapërcime, të cilat nuk do t’i bëjë dot të ecje në mënyrë lineare. Pra, si do të mund të arrinim në ritmin e Gjermanisë në qoftëse progresi do të ishte linear. Por me progresin eksponencial që lejon teknologjia mund ta shohësh veten në një pozitë edhe më të mirë sesa Gjermania, kur bëhet fjalë për zgjidhje digjitale. Sepse duke krijuar një shtet të përsosur ose thuajse të përsosur pa aspektin digjital, Gjermania ka një makineri shumë të rëndë për t’u kthyer në drejtimin digjital, ndërkohë që vendet tona nuk e kanë pasur këtë makineri të rëndë, kështu që është më e lehtë që të futen zgjidhje, që të jenë zgjidhje digjitale”, tha ai./abcnews.al