Moti i keq me reshje intensive shiu dhe bore që ka përfshirë vendin prej disa ditësh ka shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ndërhyrjet që po kryhen përgjatë 24 orëve nga strukturat shtetërore për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo situatë.
Ndërkohë, sipas kryeministrit, “puna po vijon për përballimin e situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit”.
Për përballimin e situatës së përmbytjeve, efektivë të Forcave të Armatosura janë dislokuar në zonat e prekura me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave nga situatat emergjente.
Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në zona të tjera ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.
Ndërkohë autoritetet po punojnë edhe për pastrimin e akseve rrugore në zonat malore ku reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar problematika.
Në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, autoritetet qendrore dhe vendore po vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.
Deri tani në rang vendi regjistrohen 1587 banesa në praninë e uji, ndërsa janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.


