Kryeminstri Edi Rama insiston se vendosja e taksës 100% për produktet serbe është një reagim politik, pasi shqiptarët nuk po avancojnë në proceset drejt BE, por vetëm po u kërkohet respektim rregullash, ndryshe nga Serbia. I ftuar në Klan Kosova, kryeministri Rama tha se në këto kushte, Shqipëria e Kosova po punojnë për të patur kufi fluid mes tyre, sic ndodh mes vendeve të BE, me lehtësi shkëmbimesh tregtare.
Rama iu përgjigj edhe akuzave serbe se kjo që po bëhet është dyfytyrësi. Shefi i ekzekutivit shqiptar tha se i është kërkuar edhe Serbisë që të kryhen këto lehtësi në kuadër të marrëveshjeve rajonale, e në kushtet kur kjo nuk ka ndodhur, Shqipëria e Kosova do I kryejnë mes tyre e rezultatet do shihen në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm. Kryeministri Rama ka shpjeguar edhe njëherë se përse nuk duhet paragjykuar ideja e shkëmbimit të kufijve, ndërsa ka mbrojtur edhe njëherë artikuluesin e saj, presidentin Hashim Thaçi.

