SHQIPËRI- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar 7 marsin, Ditën e Mësuesit.
Shefi i qeverisë thekson se kjo ditë risjellë në vëmendje rolin dhe përkushtimin e mësuesve tanë, të cilët me pinë e palodhur mbjellin farën e dijes tek fëmijët e Shqipërisë.
“Mirëmëngjesi dhe me mirënjohjen për mësueset e mësuesit, që me durim dhe përkushtim mbjellin e kultivojnë farën e dijes tek fëmijët e Shqipërisë, ju uroj atyre Gëzuar 7 Marsin dhe të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e Parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.
Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive, në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 Marsi festohet në Shqipëri si Dita e Mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.