TIRANË- 105-vjetori i shpalljes kryeqytet e gjeti Tiranën me kryetar të ri. Nga qelia, Erion Veliaj ia delegoi firmën Anuela Ristanit, e cila mbante postin e nënkryetares se bashkisë. E pranishme në eventin e lajmëruar me herët edhe nga vetë Veliaj, Ristani tha se detyra e saj dhe e kolegeve është të punojnë fort për Tiranën pas asaj qe e cilëson edhe goditje e befasishme.
“Jemi të bindur se me ndihmën e kryeministrit, i cili ka qenë pranë nesh gjatë këtyre orëve të vështira, dhe të gjithë qytetarëve dhe bashkëpunëtorëve, do ta rimarrim ritmin e humbur dhe goditja e befasishme nuk do të na hutoje. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara. Goditja e befasishme nuk do të na hutojë, por përkundrazi do të na motivojë”, u shpreh Anuela Ristani.
Megjithatë, Ristani nuk do të jete e vetme në drejtimin e bashkisë. Jo vetëm këtë të martë që ishte dy herë në bashkinë e Tiranës, por vizitat dhe mbështetja e kryeministrit Edi Rama do të jenë të vazhdueshme.
“Unë kryetar bashkie kam qenë mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve dhe të gjithë këtyre çfarë quhen, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që, do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë”, shtoi Rama.
Nuk do të mjaftoi vetëm me bashkinë, por do të drejtoje edhe të punët politike duke lënë të nënkuptohet që në 11 maj do te kandidojë në qarkun e Tiranës.
“Nga gjithë ajo që ndodhi dje, dhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë bashkë me skuadrën e Tiranës. Nuk diskutohet që në 11 maj, Tirana do t’i japi numrin më të madh të deputetëve që i ka dhënë ndonjëherë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve”, u shpreh Rama.
Edhe njëherë tjetër, Rama përsëriti se do të kërkojë prova nga SPAK për Erion Veliaj.
Kryeministri thekson se gjendemi përpara një çështjeje qe nuk ka akuze për korrupsion por kemi një hetim për një person.
“Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh, gjithsesi për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces.”, tha ai.
/abcnews.al


