Qeveria vijon aksionin për mbylljen e bizneseve që nuk lëshojnë kuponë tatimorë. Rama ka publikuar rastin e një hoteli në Orikum, ndërsa Basha reagon duke thënë se kryeministri është sponsorizuesi kryesor i informalitetit.
Një hotel i madh në Orikum është kycur nga shteti për shkak se nuk lëshonte kuponë tatimorë për çdo shërbim. Rasti i këtij biznesi në fshatin Tragjas është publikuar nga kryeministri Rama në kuadër të aksionit kundër informalitetit.
Edi Rama: “KOKA BEN KOKA PESON dhe nuk thotë kot populli, TAHMAJA E MADHE TE LE PA GJE. Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë lojë; kush më shpejt e kush më vonë, o do futet në Rreshtin e Ligjit dhe s’do prekë lekët e popullit që ka brenda kuponi për çerdhe, kopshte, shkolla, ambulanca, spitale, O DO MBETET ME GISHT NE GOJE. ZeroTolerancë për këdo që fut duart në xhepat e njerëzve sa majtas e sa djathtas dhe prek arkën e shtetit”.
Lulzim Basha e quan gjithë këtë aksion qeveritar një falsistet abuziv.
“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësinë dhe luksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
Në këtë rast, Basha prezanton vizionin ekonomik të demokratëve kur të vijnë në pushtet.
“Ndryshe nga Rama ne besojmë në një ekonomi të lirë dhe konkurruese. Do të anulojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafien që fshihet pas oligarkisë”.
Menjëherë pas zgjedhjeve, policia dhe agjentët tatimorë, së bashku me aktorë kryesorë të qeverisë janë shfaqur në inspektime për kuponët tatimorë, duke mos kursyer edhe gjobitjen e bizneseve VIP./ABC News Albania 24/7