Rama thirrje sipërmarrjeve: Deklaroni pagat, do marrim masa drastike. Pensionistëve në fundvit, do u japim bonusin që i takon

schedule11:24 - 23 Tetor, 2024

schedule 11:24 - 23 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje sipërmarrjeve të deklarojnë pagat e punonjësve, pasi në të kundërtën do të merren masa drastike.

Ai theksoi se taksat duhet të paguhen me domosdoshmëri, pasi pensionitët duhet të përfitojnë për shkak të kontributeve që kanë dhënë.

Sakaq, Rama shtoi se në fund të vitit, pensionistëve do i japin bonusin që i takon, pasi do të ndryshojë si strukturë.

“Vijmë tek turizmi. Tani, si mund të vazhdojmë ne të pranojmë që ndërkohë që këtu Shqipëria është në invazion nga turistë të huaj dhe nga shqiptarët që vijnë gjithmonë e më shumë për pushime, ne të jemi vendi që figuron me më shumë se gjysmën më pak të akomodimeve në territor për numër sesa të gjitha vendet rreth e rrotull. Tani, mua nuk më figuron që rrugët e Shqipërisë të jenë të mbushura me turistë që flenë jashtë natën, unë nuk kam parë njerëz të shtrirë nga të katërta anët nëpër plazhe, nëpër rrugë, nëpër kodra që flenë jashtë se nuk futen nëpër krevate. Unë vetë nuk i kam parë. Ku janë këta? Këta nuk figurojnë në deklarimet e hoteleve, këta nuk figurojnë fare dhe këtë e dimë ne në deklarimet e këtyre që japin me qera dhoma,  por kjo është temë tjetër dhe këtu nuk i hyjmë në hak atyre që nuk ua kemi kërkuar, me qëllim akoma nuk ua kemi kërkuar që të fillojnë t’i deklarojnë.

Prandaj, një gjë dua ta përcjell si mesazh.

Ne nuk duam të bëjmë një operacion represiv, plotësisht të merituar për hir të vërtetës, por ne duam që, në radhë të parë, sipërmarrjet ta marrin mesazhin shumë të qartë. Kemi bërë shumë progres, nuk është se kemi filluar sot sepse po të marrim se ku jemi nisur me informalitetin, me gjysmën e punonjësve që nuk deklaroheshin fare e të tjerë dhe po të shohim sesa e kemi rritur fondin e Sigurimeve Shoqërore, progresi është i konsiderueshëm. Mirëpo Shqipëria ka bërë më shumë progres sesa ç’është bërë progres në këtë pjesë, ekonomia është rritur më shumë sesa figuron si pasqyrë progresi në këtë pjesë dhe nga kjo rritje ekonomike po përfitoni ju të parët siç nuk e kishit menduar ndonjëherë se do të fitonit në Republikën e Shqipërisë dhe ju e dini shumë mirë. Po përfitojnë ata që janë të punësuar në sektorin publik ku nuk ka “Po ta jap pa taksa një pjesë të rrogës dhe po ta jap me taksa pjesën tjetër” duke e çuar pagën mesatare në 900 euro në sektorin publik, po përfitojnë patjetër edhe të gjithë komunitetet në formën e investimeve që bën shteti, por nuk po përfitojnë pensionistët nga kjo rritje ekonomike. Ky është momenti kritik i gjithë kësaj rritjeje ekonomike.

Të gjithë ata që kontribuojnë në rritje ekonomike duhet të marrin pjesën e tyre nga rritja ekonomike ndërkohë që pensionistët, janë pensionistë sepse kontributet i kanë dhënë më përpara. Tani, për ato kontribute që ata kanë dhënë më përpara duhet të marrin atë që u takon. Për këtë arsye, unë mendoj që ky është momenti i faturave të energjisë, momenti i faturave të energjisë ku gjysma paguante dhe për gjysmën tjetër ndërsa gjysma tjetër e vidhte ose nuk e paguante energjinë.

Ky është momenti kur pensionistëve duhet tu shkojë ajo që u takon. Ne do bëjmë tonën pa diskutim, sepse nuk bëhet fjalë që duhet t’ua hapim derën dhe pensionistëve për të marrë pjesë në hapësirën e ekonomisë së rritur, por që ne të bëjmë tonën janë dy gjëra; njëra është që të ndajmë buxhet për pensionistët më shumë e tjetra është që të marrim nga ju atë që duhet tua japim pensionistëve.

Sigurimet shoqërore nuk janë taksa që i paguan ti sot, shkojnë në buxhet, planifikohen, do të bëhen projektet e të tjerë. Sigurimet shoqërore janë, ti i paguan në fund të muajit shtator, kalojnë tek fondi i pensioneve, në fund të muajit tetor i shkojnë pensionistëve, kaq. Është vetëm transferim. Çdo firmë atje për sigurimet shoqërore është firma që “Po, pensionisti Filan Fisteku mund ta marrë pensionin e vet sepse punonjësja Filan Fisteku e mori pagën e vet”. Automatikisht dhe për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve u ka çuar të gjitha kompanive një mesazh.

Mesazhi duhet kuptuar që ne nuk do të pranojmë më deklarime pagash të cilat nuk i besojmë. Shumë e thjeshtë. Dhe mbi ç‘bazë? Jo arbitrarisht. Mbi bazën e çfarë thonë analizat e tregut. Ndërtuesit që do të deklarojnë 60 mijë lekë pagë që nuk ekziston fare, duhet të kuptojnë që nuk do t’iu pranohet, do t’u kthehet mbrapsht deklarimi, do t’iu thuhet ‘’plotësoje se ke bërë një gabim’’ dhe nëse nuk do ta reflektojnë këtë gjë, atëherë do të duhet të përballen me situata siç u përballën hajdutët e energjisë elektrike. Situata që mund të shkojnë deri në kolaps të kompanisë, ma besoni këtë gjë. Për çfarë? Për të mos paguar haraçin pensionistëve, haraçin që e kanë fituar me një jetë të tërë punë edhe që rrinë e torturohen duke parë se si gjithë të tjerët këtu përfitojnë nga rritja ekonomike, ndërkohë që ata presin me padurim të mbarojë dita dhe gdhihen me ankthin se ‘’si do ta shtyj sot’’? Kështu që merreni shumë seriozisht të gjithë, jo ju që jeni këtu, por po flas me të gjitha kompanitë që janë tek kjo zonë ku grabiten pensionistët rregullisht, që deklarimi i pagës duhet të jetë serioz, i vërtetë dhe jemi dëshmitarë të gjithë. Dolën pagat atëherë rrugëve për shkak të sistemit digjital të hakeruar e ku di unë. Vetëm nga ajo dalje pagash rrugëve pati një rritje të deklarimeve sepse u kuptua.

Megjithatë ne jemi duke studiuar edhe mundësinë që ta bëjmë si vendet nordike; t’i detyrojmë nxjerrjen e pagave të gjithëve me ligj, që njerëzit, që të gjithë ta shohin se kush paguan çfarë, por kjo është arma e fundit. Tjetra është hyrja më thellë në inspektime, krimi ekonomik i Ministrisë së Brendshme, etj. Nuk janë fare as kërcënime, as presione, janë thjesht informacion transparent për çfarë ne kemi ndër mend të bëjmë. Kemi qysh në fillim të këtij viti që jemi ulur me një grup pune të gjerë, me ekspertë ndërkombëtarë, me praktikat më të mira të studiuara, të analizuara, për t’iu dhënë përgjigje pensionistëve ‘’çfarë do të bëhet me ne’’? Dhe çfarë do bëhet me ta, nuk ka kush e jep përgjigjen tjetër përveç kësaj qeverie, nuk ia jep tjetërkush. Përgjigjet e tjera janë përgjigje për klubet e mbrëmjeve neuro-mediatike, kurse përgjigjen për ta duhet ta japim ne dhe besoj që do t’i japim përgjigjen që ata presin hap pas hapi, jo menjëherë, duke filluar nga ky fundit kur bonusi, po studiojmë që të ndryshojë si strukturë dhe pastaj falë kontributit të kompanive që të duhet të japin pensionistëve atë që iu “grabisin”. Le ta quajmë një grabitje pa mendje ose pa vëmendje dhe ta ndryshojmë këtë tendencë”, u shpreh ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!