Rama takon familjarët e Arjan Salës: Po të mos ishte ai do ishin shumë nëna duke qarë sot

schedule12:46 - 29 Mars, 2021

schedule 12:46 - 29 Mars, 2021

Një hero që shpëtoi shumë jetë. Me këto fjalë iu drejtua kreu i qeverisë Edi Rama familjarëve të heroit 32-vjeçar Arjan Sala në momentin e dorëzimit të titullit “Dëshmor i Atdheut”. Rama tha se Arjan Sala ka shpëtuar shumë njerëz të tjerë në atë magazinë mes flakësh dhe po të mos ishte për të, sot do të kishte shumë familje dhe nëna duke qarë.

Ai tha se qeveria nuk do e lërë vetëm familjen e tij dhe djalin e tij të vogël ndërsa njoftoi se është vendosur t’i jepet një shumë direkte për t’i ardhur sadopak në ndihmë.

“Ka bërë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë. Natyrisht që jeta është një dhe nuk kthehet por sidoqoftë ne menduam që është detyra jonë ta nderojmë dhe ta vlerësojmë. Vendosëm që ta shpallim Dëshmor të Atdheut. Të dorëzoj certifikatën dëshmor i  Atdheut dhe do ta mbështesim me sa kemi mundësi familjen e tij të vogël dhe fëmijën sat ë kemi mundësi.

Ne ndërkohë vendosëm t’i japim një shumë direkt tani familjes. Këto janë më shumë respekt se sa bëjnë ndonjë ngushëllim. Të rroni dhe ta kujtoni gjithmonë.  Ne erdhëm për të respektuar. E kemi shpallur dëshmor të Atdheut. Po bëjmë gjithçka mundemi për të mos u lënë vetëm pavarësisht se shyqyr zotit nuk jeni vetëm.

E di që është e tmerrshme. Nuk e imagjinoj dot. Jemi shumë krenarë se ka bërë një akt, ka shpëtuar shumë njerëz. Do ishin shumë familje dhe shumë nëna duke qarë sot. Fatkeqësisht ju ndodhi vetëm ju. Sidoqoftë duhet të jeni shumë krenarë. Disa gjëra janë të pashpjegueshme.

Thonë që të gjithë në një mënyrë a në një tjetër, rregullohen përveç nënës. Për të tjerët jeta vazhdon, në një mënyrë a në një tjetër rregullohen. Të ka lënë një ngushëllim të vogël, nipin. E ka lënë pasuesin e vet. Si është ajo shprehja i ra gurit plasi, i ra njeriut duroi. Do vij një ditë tjetër. Të rroni ta kujtoni gjithmonë dhe i vogli pastë gjithë forcën e duhur.  T’u rrojnë. Me shëndet dhe jetë”, tha Rama./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!