1.15 miliardë lekë u premtuan nga vende të ndryshme të botës gjatë konferencës së donatorëve në 17 shkurt, por secili kishte parashikuar t’i investonte paratë në drejtime të caktuara. Mbivendosjet e këtyre premtimeve krijojnë nevojën e një koordinimi mes shteteve.
“Të gjithë ju erdhët në Bruksel pa folur me njëri-tjetrin dhe secili premtoi diçka konkrete, si shkolla, ujësjellës, apo gjëra të tjera. Sfida tani është që të gjitha këto kontribute të bëhen bashkë, sepse nëse do të llogarisnim kontributet e ofruara për shkolla, janë më shumë se sa na nevojiten. Dhe duhet të sigurohemi që pjesa tjetër e ndihmës të shkojë diku tjetër. Dhe kjo “diku tjetër” është shumë e rëndësishme të vendoset bashkërisht”, deklaroi Rama.
Ambasadorja amerikane doli sërish gardiane e transparencës.
“SHBA-të do t’ju ofrojnë ndihmën teknike që mund t’ju nevojitet për tu siguruar që donacionet nga e gjithë bota, përfshirë dhe donacionet tona, do të përdoren në formën e duhur në përfitim të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Bashkimi Evropian është dhuruesi më i madh, por paratë e para ende nuk kanë mbërritur në Shqipëri.
“Bashkë me PNUD ne po bëhemi gati që 15 milionëshi i parë të vihet në punë shpejt dhe ne presim që deri në fund të kësaj jave të japim produktet e para. Është absolutisht e rëndësishme të koordinohemi me ju, por edhe me njëri-tjetrin. Në mënyrë që të mos ketë mbivendosje dhe mos përputhje mes premtimeve dhe asaj çfarë bëhet në praktikë. Do të shkoj në Bruksel sonte, do të takoj personat përgjegjës për disbursimin, dhe do të punojmë që lëvrimi i parave të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Luigi Soreca.
Turqia premton të nisë ndërtimin e shtëpive në Laç në fund të këtij muaji.
“Presidenti ynë do të nënshkruajë vendimin e financimit të premtuar nga Turqi shumë shpejt, brenda një jave mbase dhe më pas brenda 1 apo 2 javëve do të zhvillojmë procedurën e tenderimit. Brenda muajit mbyllim burokracitë, dhe fillojmë ndërtimin brenda marsit”.
Veç dhuratave financiare të marra në formën e granteve, qeveria shqiptare do të angazhohet në projekte kredimarrjeje me interesa shumë të favorshme./abcnews.al