TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mohuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar vizat turistike për Shqipërinë, duke i cilësuar këto lajme si dezinformim dhe çoroditje të opinionit publik.
Duke folur në podkastin “Flasim”, Rama sqaroi se administrata amerikane, në kuadër të politikës së re të emigracionit të Presidentit Donald Trump, ka vendosur një pezullim të përkohshëm të lejeve të punës për rreth 75 vende të botës, mes tyre edhe disa vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Sipas tij, masa nuk ka të bëjë me ndalimin e vizave turistike apo të biznesit, por me lejet e qëndrimit për punë në SHBA.
Kryeministri theksoi se ky vendim lidhet me abuzimet e konstatuara nga autoritetet amerikane, ku shtetas nga këto vende kanë hyrë me viza turistike ose biznesi dhe kanë qëndruar për të punuar në kundërshtim me rregullat.
Ai akuzoi kritikët për përhapje të qëllimshme të lajmeve të rreme, duke shtuar se këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.
Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm. Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart.”, tha Rama./abcnews.al


